Katari rithekson besimin e fuqishëm për ekonominë turke

Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë së Katarit, Sheiku Ahmed bin Jassim bin Mohammed al-Thani, ka ritheksuar besimin e fuqishëm të vendit të tij për ekonominë turke...

Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë së Katarit, Sheiku Ahmed bin Jassim bin Mohammed al-Thani, ka ritheksuar besimin e fuqishëm të vendit të tij për ekonominë turke.

Gjatë një prononcimi në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve Gjermani-Katar, organizuar në Berlin, Al-Thani vuri në pah se Turqia ka një sektor privat shumë të zhvilluar, ku eksportet zënë vendin kryesor.

“Ne jemi absolutisht të bindur se ekonomia turke ka themele të shëndosha. Hera-herës, në ekonomi mund të ketë luhatje. Por me rëndësi janë themelet e ekonomisë dhe kjo është hapësira në të cilën duhet të fokusohemi. Ne i besojmë ekonomisë turke, ndaj dhe Emiri i Katarit, Sheiku Tamim bin Hamad al-Thani, njoftoi paketën e investimeve të drejtpërdrejta prej 15 miliardë dollarësh (në Turqi). Investimet tona në Turqi do t’i bëjmë në sektorë të ndryshëm. Turqia dhe Katari janë miq prej shumë vitesh dhe miq do të mbeten”, deklaroi ai duke nënvizuar gjithashtu se Katari investon prej një kohe të gjatë në Turqi.

Kurse shefi ekzekutiv (CEO) i Autoritetit të Investimeve të Katarit (QIA), Sheiku Abdullah bin Mohammed bin Saud al-Thani, potencoi se janë duke vijuar me shpejtësi punën për investime të reja në Turqi dhe brenda një kohe të shkurtër do të njoftohen sektorët ku do të investohet./TRT