KESH: Pavarësisht një viti të thatë, niveli i liqenit të Fierzës mbi mesataren shumëvjeçare

 Duke marrë shkas nga disa raportime jo të sakta në media, mbi nivelin e ujit në liqenin e Fierzës, ka reaguar Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, duke deklaruar se “situata në të gjithë kaskadën e lumit Drin është në kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm, duke menaxhuar në mënyrë optimale prodhimin e energjisë”.

Në reagimin për mediet, KESH thekson se veprat hidroenergjetike të kaskadës së Drinit po administrohen në një regjim optimal shfrytëzimi, në përputhje të plotë me parashikimet e Rregullores për Menaxhimin e Plotave”, raporton ATA.

“Sjellim në vëmendje të opinionit, se falë mirëadministrimit dhe menaxhimit të prurjeve në kaskadë gjatë periudhës së fundit, pavarësisht një viti të thatë dhe me reshje të pakëta, niveli i liqenit të Fierzës është sot mbi mesataren shumëvjeçare. Niveli mesatar shumëvjeçarë në liqenin e Fierzës për datën 6 gusht është 281.36 metra, ndërsa niveli i datës 6 gusht 2019, i raportuar në një media ditën e djeshme në mënyrë jo të saktë, është 286.85 metra, ose 5 metra e gjysëm më i lartë nga mesatarja shumëvjeçare”, thekson KESH.

Gjithashtu, KESH siguron opinionin publik se do të vijojë prodhimin e energjisë elektrike duke menaxhuar dhe administruar në mënyrë optimale prurjet në kaskadën e lumit Drin, gjithashtu mbetet i hapur për të bashkëpunuar me median për të informuar në mënyrë të saktë e në kohë reale opinionin publik për situatën në kaskadën e lumit Drin.