Këshilla për të qenë më produktivë

Ruajtja e përqendrimit në punë, në zyrë, nuk është e thjeshtë. Por në smartworking, me kaq shumë shpërqendrime, ndoshta është edhe më e vështirë.

Për ata që përpiqen të përfundojnë gjithë detyrat, më poshtë janë disa këshilla nga ekspertët për të rritur produktivitetin

Qëndroni larg rrjeteve sociale

Faye Cox, eksperte mbi produktivitetin, shprehet për Guardian që të mos humbni kohë në news feed, kur keni gjëra shumë më të rëndësishme dhe urgjente për të përfunduar. “Kjo është një nga mënyrat më të këqija për të humbur kohë” – shpjegon ajo.

Përdorni matricën e Eisenhower

Ndajeni një copë letre në katër kuadrate dhe shënoni në secilin “urgjente”, “jo urgjente”, “e rëndësishme” dhe “jo e rëndësishme”. Matrica e Eisenhower shërben për t’u dhënë përparësi detyrave, duke ndarë atë që është urgjente nga e tepërt, duke klasifikuar në këtë mënyrë aktivitetet e përditshme.

Në secilin prej kuadrateve shkruani angazhimet. Barnaby Lashbrooke, eksperte e produktivitetit këshillon: “Gjithçka që është urgjente dhe e rëndësishme duhet bërë sa më parë të jetë e mundur. Çfarëdo gjëje e rëndësishme, por jo urgjente, duhet programuar në axhendë më vonë. Çfarëdo gjëje urgjente, por jo e rëndësishme, duhet të delegohet te dikush tjetër. Gjithçka që nuk është as urgjente dhe as e rëndësishme, duhet të eliminohet – ju do të humbnit kohë dhe energji”.

Mos jini skllav i email-it

Zgjidhni një orar për të kontrolluar mesazhet. Ekspertja e produktivitetit, Faye Cox, këshillon që këtë gjë ta bëni tre ose katër herë në ditë, për të pasur mjaftueshëm kohë për t’u përqendruar – pa shpërqendrime – në aktivitetet e tjera.

“Përcaktimi i një kohe të caktuar për email-in do t’ju lejojë t’u kushtoni më shumë vëmendje mesazheve dhe t’u përgjigjeni në përputhje me rrethanat, në vend të një përgjigje të shpejtë, ku nuk do të thoshit gjithçka që do të kishit dashur, madje edhe me gabime ortografike dhe një ton të papërshtatshëm”.

Besojuni kolegëve

Nëse mundeni, merrni pjesë vetëm në mbledhjet e rëndësishme “Mbledhjet e padobishme dhe mesazhet e kota, konsumojnë orë të panumërta” – thotë Tariq Rauf, themelues i hub të punës dixhitale Qatalog. “Kur është e mundur, ekipi duhet të nxitet të bashkëpunojë në një mënyrë asinkrone, duke mos pasur nevojë të gjurmojnë njerëzit për një përgjigje të shpejtë, por duke pasur besim dhe duke pritur që të përgjigjen kur të munden”

Zbuloni mikropraktikat

Janë momente qetësie, kur ju mund të përqendroheni për pak kohë te diçka tjetër, për të mos u ndier të mbingarkuar. Këto janë gjëra të thjeshta si “lani fytyrën me ujë të ftohtë, apo të ngjisni e zbrisni shkallët. Nuk kërkojnë pajisje të veçanta, dhe as shumë kohë” – thotë Carmel Moore, bashkëthemeluese e shoqërisë së meditimit The One Moment Company. “Kush nuk ka kohë të hajë një frutë pa telefonin në duar? Apo për t’u ngritur dhe për t’u shtriqur?”

Bëni shumë pyetje

Sindroma e mashtrimit, d.m.th bindja për të shijuar një vlerësim të pamerituar, në shproporcion me aftësitë, mund të manifestohet kur keni ndjesinë se nuk do t’ia dilni të përfundoni një detyrë, edhe pse shpesh problemi i vërtetë është se detyra nuk është shpjeguar mirë. Bëni shumë pyetje – do t’ju ndihmojnë të sqaroni se cilat janë përparësitë.

/ Monitor