KFOR-i Turk dhuron 20 projektorë për një shkollë në Prishtinë

Nga sot shkolla fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë është bërë me 20 projektorë nëpër klasa

Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë në koordinim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), i ka dhuruar sot 20 projektorë shkollës fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një organizim ku ishin të ftuar përfaqësues të shkollës, përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, përfaqësues të Këshillit Turk të Ambasadës së Turqisë në Kosovë, ndihma teknologjike nga shteti turk u konsiderua mjaft e rëndësishme për mësimnxënien në këtë shkollë.

Drejtoresha e shkollës “Xhemajl Mustafa, Vjollca Jupolli tha se kjo ndihmë do ta rrisë cilësinë e arsimit në shkollë e do ta bëjë mësimin më interaktiv.

“Përmes këtyre paisjeve konsiderojmë se në shkollën tonë do të rritet cilësia e mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke qenë se mësimi do të bëhet më atraktiv dhe më interaktiv”, tha Jupolli, e cila tregoi se donatori pos sjelljes së projektorëve edhe i ka instaluar ato nëpër klasa.

Ajo tha se Kosova ka hyrë në një periudhë të re të arsimit ndërsa kjo periudhë është e pamundur pa teknologji. Kryetari i Këshillit Turk në Kosovë, koloneli Numan Baş tha se Turqia është e fokusuar të punoj në disa fusha në Kosovë, por arsimin e ka prioritet.

“Për neve projektet e realizuara në arsim janë burim i lumturisë, nderit dhe i krenarisë. Ndihemi krenar që sadopak kemi kontribuar në këtë shkollë që është ndërtuar në vitin 2004 dhe këtu edukohen mbi 1400 nxënës”, tha Baş.

Edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, tha se në situatën të cilën gjendet Kosova aktualisht, është shumë me rëndësi që cilësia e arsimit të jetë e lartë.

“Në kuadër të kësaj shpresojmë që ky projekt do të jetë i dobishëm në edukimin dhe arsimimin e nxënësve në Kosovë. Të gjithë ne kemi përgjegjësi dhe detyra në arritjen e një edukimi më të mirë për këta fëmijë dhe të rritur. Ne si Turqi gjithmonë ishim dhe do të vazhdojmë të jemi pranë miqve dhe vëllezërve tanë kosovarë. Në këtë aspekt nuk do të ndalemi së bashkëpunuari me Kryesinë e Këshillit Turk, institucionin “Yunus Emre”, TIKA-n dhe institucionet e tjera”, tha Sakar.

Pas fjalimeve të rastit nga të pranishmit, u mbajt një program kulturoro-artistik nga fëmijë të shkollës, shqiptarë dhe të komunitetit turk, ndërsa drejtoresha e shkollës shpërbleu me mirënjohje e dhurata kontribuesit e projektit.