KFOR-i turk mbështetje në fushën e arsimit në Kosovë

Ushtria turke që vepron në Kosovë ka realizuar renovimin e kabinetit të fizioterapisë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë "Hysni Zajmi" në Gjakovë

Kryesia e delegacionit turk që vepron në kuadër të Misionit të Forcave Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR), kanë ka realizuar rinovimin e kabinetit të fizioterapisë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Hysni Zajmi” në qytetin e Gjakovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një ceremoni me rastin e hapjes së klasës së fizioterapisë morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës i Kosovës, Ramë Likaj, Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kreu i KFOR-it turk, kolonel Savaş Yanar, koordinatori për Prishtinë i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Cihan Dinçer, mësimdhënës dhe nxënës.

Duke folur për gazetarët, ministri Likaj deklaroi se shteti turk ka ofruar ndihma të mëdha gjatë luftës në Kosovë, për ndërtimin e paqes dhe më pas edhe për themelimin e shtetit.

“Kjo është një ndihmë e jashtëzakonshme sidomos në këtë kohë të vështirë, duke u ballafaquar me pandeminë. Edhe një herë falemnderit dhe ju ofroj gjithashtu edhe bashkëpunim edhe ambasadës turke, edhe qeverisë turke për projektet të cilat i kemi të përbashkëta në vazhdim”, tha Likaj.

Nga ana tjetër, ambasadori Sakar theksoi se krenohen me projektet që i realizojnë në përputhje me marrëdhëniet e vëllazërisë midis popullit kosovar dhe Turqisë.

“Siç e dini, ushtarët turq shfaqin mbështetjen e Turqisë për miqtë tanë në Kosovë që nga fillimi. Sikurse në katër anët e botës, edhe këtu japin kontribut për paqen dhe stabilitetin”, tha Sakar.

Kryetari i komunës, Gjini, tha se i kanë pritur me kënaqësi të madhe donacionet në fushën e arsimit, duke shprehur falënderime për Turqinë jo vetëm për këtë donacion, por edhe donacionet e tjera në vitet e fundit.

Enes Bekolli, nxënës në shkollën e mesme, tha për AA se dëshiron që arsimin ta vazhdojë në Turqi.

Ai tha se kushtet e shkollës më parë nuk ishin të përshtatshme për mbajtjen e praktikës.

“Unë jam shumë i lumtur që më në fund mund ta bëjmë praktikën profesionale në kabinet të tillë falë ushtrisë turke dhe investimeve të tyre që i kanë bërë për ne”, tha Bekolli.

Në kuadër të projektit të rinovimit të kabinetit të fizioterapisë së Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Hysni Zajmi” është kryer mirëmbajtja dhe riparimi i klasës, duke përfshirë sistemin e ndriçimit.

Si pjesë e projektit janë siguruar shumë pajisje arsimore, si aparate elektroterapike, set peshash, laptopë dhe projektorë.