Kim ju drejtohet kandidatëve të Berishës: Çfarë po u premtoni votuesve?

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim iu është drejtuar me një pyetje kandidatëve të Sali Berishës se çfarë po u premtojnë votuesve për zgjedhjet e pjesshme vendore.

Ambasadorja nënvizon se kandidatët mbështeten nga Berisha, që është përcaktuar publikisht nga SHBA për korrupsion.

“Pyetje për kandidatët: Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, shkruan ajo në një postim në Twitter.

 

 

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall person “non grata” në maj të vitit kaluar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion.

Më pas ai u përjashtua nga Partia Demokratike me vendim të Lulzim Bashës dhe garon në zgjedhjet e 6 marsit me kandidatët e tij, nën siglën “Shtëpia e Lirisë”.