Kjo teknologji e re do të karikojë smartfonët tuaj për 15 minuta

Quick Charge 5 premton të rikarikojë në 50% një bateri 4.500 mAh në vetëm 5 minuta, ndërsa për rikarikimin e plotë do të duhen 15 minuta.

Smartphone me sistem operativ Android që do të dalin në treg në muajt e ardhshëm mund të rikarikohen në një kohë të shkurtër. Këtë e bën të mundur Qualcomm, i cili prezantoi versionin e fundit të teknologjisë Quick Charge, i pranishëm në shumë telefona me sistemin operativ të Google.

Quick Charge 5 premton të rikarikojë në 50% një bateri 4.500 mAh në vetëm 5 minuta, ndërsa për rikarikimin e plotë do të duhen 15 minuta. Bëhet fjalë për zgjidhjen e rikarikimit “më të shpejtë në botë” – tha Qualcomm. “Është platforma e parë e rikarikimit të shpejtë që suporton rikarikim më shumë se 100W në një smartphone” – theksoi kompania.

Kanë kaluar disa vite që kur Qualcomm prezantoi standardin e fundit të rikarikimit të shpejtë, Quick Charge 4 (i cili kishte edhe një version të përmirësuar Quick Charge 4+). Por versioni i ri përfaqëson një hap të madh përpara për kompaninë – të paktën në lidhje me shpejtësinë e rikarikimit. Qualcomm thotë se Quick Charge 5 është deri në 70% më eficient se Quick Charge 4 dhe deri në 4 herë më i shpejtë në rikarikim.

Qualcomm është një ndër furnizuesit më të mëdhenj për procesorë dhe modemë dhe mijëra kompani përdorin zgjidhjet e tij – pajisjet e para që do të përdorin Quick Charge 5 do të nisin të dërgohen në tremujorin e tretë 2020.