I shumëkërkuari Klement Balili është vetëdorëzuar në Policinë e Shtetit mëngjesin e kësaj të marte.
Lajmi konfirmohet për Top Channel nga njëri prej avokatëve të tij, Baftjar Rusi. Balili ndodhet në Policinë e Shtetit së bashku me avokatin tjetër, Theodhori Sollaku.
Vetëdorëzimi i tij vjen vetëm pak ditë pasi një burim nga Ministria e Drejtësisë njoftoi se Greqia i është përgjigjur në fund të dhjetorit të kaluar, përmes një letërporosie, kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që këmbëngulte t’i dorëzoheshin prova shtesë të 46-vjeçarit.
Kjo letërporosi ishte justifikimi kryesor i Prokurorisë, që në vitin 2018 zgjati tri herë afatin hetimor për Balilin, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, por që për shkak të dështimit të policisë për ta arrestuar u quajt nga ish-ambasadori Donald Lu edhe si “magjistari”.
Prej dy vitesh, Klement Balili vazhdon ta kthejë duarbosh policinë gjatë aksioneve të dështuara për arrestimin e tij. Tashmë, sfida e radhës nuk është për uniformat blu, por për Prokurorinë.
Avokati i Klement Balilit, Theodhori Sollaku tha për mediat se për asnjë çast klienti i tij nuk i ishte shmangur drejtësisë, ndërsa shtoi se ai u vetëdorezua kur u plotësuan kushtet.
Mes të tjerash Sollaku theksoi se tashmë që kishte ardhur letërporosia nga Greqia, Balili u dorëzua duke shmangur, sipas tij, edhe shpenzimet që do të kishte shteti shqiptar për qëndrimin e tij këto dy vite në burg.
“Është e vërtetë që ka dy vite që është në kërkim policor. Trysnia ka qenë e madhe për ta arrestuar, edhe pse nuk ka prova. Prokuroria ka kërkuar prova nga autoritetet greke. Tani që erdhi letërporosia dhe hetimet janë drejt përfundimit, shtetasi Klement Balili vendosi të dorëzohej. Dhe shteti në këto dy vite do harxhonte lekë, do e mbante me ushqime dhe do kishte kosto. Ju e dini që një i burgosur e ka koston 50 euro në ditë. Në asnjë rast ai nuk i është shmangur drejtësisë”, pohoi Sollaku./TCh



