“Kur padrejtësia bëhet ligj rezistenca është detyrë!”. Partia Demokratike zyrtarizoi sot koalicionin opozitar me partitë aleate duke firmosur një marrëveshje me 10 pika.
Pas firmosjes se koalicionit kreu i PR-së, Fatmir Mediu nënvizoi nevojën e institucionalizimit të këtij koalicioni opozitar.
Fatmir Mediu: “Padyshim që kjo marrëdhënie e opozitës është detyrë qytetare për të penguar zgjedhjet farsë shkatërrimin e opozitarizmit dhe institucionet kushtetuese të këtij vendi. Ne në këtë marrëdhënie, kemi një raport të ri jo vetëm politik por dhe elektoral. Kemi institucionalizimin e opozitarizmit për të mos lejuar zgjedhjet farsë dhe të manipuluara. Është detyra më fisnike e çdo politikani apo force politike të garantojë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur dhe kjo përgjegjësi është kushtetuese dhe qytetare që opozita do i shkojë deri në fund. Zgjedhje do të ketë vetëm në kushte kur qytetarët të mund të votojnë të lirë”
Deklarata u be për gazetarët pas firmosjes së koalicionit opozitar. Secila parti pjesë e këtij koalicioni firmos me PD-ne.
Agron Duka, kreu i PAA: Nuk hyjmë në zgjedhje farse
“Morëm angazhim që ne nuk hyjmë në zgjedhjet farse. Jemi të vendosur në rrugën e zgjedhjeve të ndershme dhe asnjë nuk do çedojë në këtë gjë të rëndësishme siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Probleme të tjera në detaje diskutuam edhe problemet e bujqësisë, ku ne morëm angazhimin që në këtë koalicion të jemi këmbëngulës për të plotësuar nevojat që kanë fermerët”
Dule: Duhet te heqim Ramen nje ore e me pare
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule i bëri thirrje qytetarëve të angazhohen për ti thënë ndal Ramës.
“Zhvillimet politike në vendin tonë kalojnë në një stad të ri cilësor. Kemi një artikulim të qartë të forcave opozitare ndaj Ramës që shkojnë përtej objektivave të ngushta partiake dhe prekin thelbin e domosdoshëm të demokracisë funksionale. Është momenti ti drejtohemi ndërgjegjes qytetare, asnjë qytetar i vendit nuk kontribuon nëse nuk shpreh kundërshtinë e vet me çdo formë. Edi Rama çdo sekond që rri më tepër në pushtet është kosto më tepër në jetën e shoqërisë tonë dhe të brezit të ardhshëm. Qytetarë reflektoni! E keqja është e përbashkët të gjithë do ta heqim bashkë. Duhet ti themi ndal këtij fenomeni Rama që ka vënë në rrezik çdo perspektivë të këtij vendi duke nisur nga integrimi deri në sigurinë e jetës së qytetarëve.
Nard Ndoka: Rama ta kuptojë, nuk ka zgjedhje pa opozitën
Kryetari i Partisë Demokristian, Nard Ndoka tha se Rama duhet ta kuptojë se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.
“Sapo firmosëm një marrëveshje me PD në kuadër të opozitës së bashkuar. Ky moment është i rëndësishëm sepse ndajmë të njëjtat vlera politike, vijmë nga Partitë Popullore, të cilët janë krijuar mbi frymën e Kristian Demokratëve.
Është një moment i rëndësishëm për ne. Tashmë kemi të përcaktuar një datë të zgjedhjeve nga Presidenti. 30 qershori për politikën shqiptare është një moment i rëndësishëm, për faktin se ose do të triumfojnë vlerat realet reale demokracisë, për të kuptuar kjo mazhorancë se rregullat e lojës vendosen nga të dyja palët.
Unë e falenderova liderin e opozitës Basha, por edhe PD për faktin se ka ruajtur përfaqësimin e vlerave. Sot Rama ndodhet i vetmuar, pavarësisht se i ka thirrur disa parti për në koalicion, por sot i thotë që do të konkurroj me ju. Sistemi është në agoni, madje sistemi nuk funksionon fare. Ndryshe nga e majta e çoroditur, Basha po e ndërton ekipin kombëtar me vlerat e veta, pa i blerë litarët si zoti Rama. Jemi bërë pjesë e këtij ekipi me vlerat tona programore. Opozita është e plotësuar me të gjitha partitë.
Rama po tenton të ketë përballë ekipin e të rinjve, i cili dështoi në parlament. Edhe ai e kuptoi që nuk mund të jepë një ekip real. Po përpiqet me ekipin e vjetër të pozitës, por do të jetë një dështim. Rama ta kuptojë realitetin, se nuk mund të zhvillohen zgjedhje pa opozitën. Jemi të vendosur që të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të barabarta pa Ramën kryeministër për ti hapur rrugë një realiteti tjetër politik.”


