Kompania Pfizer do të kërkojë miratimin e dozës së tretë të vaksinës

Dr. Mikael Dolsten i kompanisë Pfizer tha se të dhënat e hershme nga studimi i ri i kompanisë sugjerojnë që nivelet e antitrupave rritte pesë deri në dhjetëfish pas një doze të tretë.

Kompania Pfizer do të kërkojë autorizimin e Shteteve të Bashkuara për një dozë të tretë të vaksinës së saj kundër COVID-19, ndërsa tha të enjten se një dozë tjetër brenda 12 muajsh mund të rrisë në mënyrë dramatike imunitetin dhe mbase të sigurojë mbrojtje nga varianti me i fundit shqetësues i koronavirusit.

Kërkimet nga shumë vende tregojnë se vaksinat Pfizer dhe të tjera të përdorura gjerësisht kundër COVID-19, ofrojnë mbrojtje kundër variantit shumë ngjitës delta, i cili po përhapet me shpejtësi në gjithë botën dhe tani llogaritet se paraqet shumicën e infeksioneve të reja në Shtetet e Bashkuara.

Dy doza të shumicës së vaksinave janë thelbësore për të zhvilluar nivele të larta të antitrupave që luftojnë të gjitha variantet e virusit, jo vetëm variantin delta – dhe shumica e vendeve të botës është në pritje të dozave fillestare mbrojtëse ndërsa pandemia vazhdon të zgjerohet.

Por, antitrupat natyrshëm zbehen me kalimin e kohës, kështu që studimet janë duke u zhvilluar për të treguar nëse dhe kur mund të duhen doza shtesë.

Dr. Mikael Dolsten i kompanisë Pfizer i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, se të dhënat e hershme nga studimi i ri i kompanisë sugjerojnë që nivelet e antitrupave rritte pesë deri në dhjetëfish pas një doze të tretë.

Ai tha se në muajin gusht, Pfizeri ka në plan të kërkojë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) autorizimin emergjent të një doze të tretë.

Por autorizimi i FDA-së do të ishte vetëm një hap i parë dhe nuk do të nënkuptojë automatikisht që amerikanëve do t’u ofrohen doza shtesë, paralajmëroi Dr. William Schaffner, një ekspert i vaksinave në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt. Autoritetet e shëndetit publik do të duhet të vendosin nëse është vërtet e nevojshme, veçanërisht kur miliona njerëz nuk kanë mbrojtje.

“Vaksinat u krijuan për të na mbajtur jashtë spitalit” dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë pavarësisht variantit më ngjitës delta, tha ai. Dhënia e një doze tjetër do të ishte “një përpjekje e madhe ndërsa ne po përpiqemi t’u japim njerëzve dozën e parë”.

Aktualisht vetëm rreth 48 për qind e popullsisë amerikane është plotësisht e vaksinuar – dhe disa pjesë të vendit ka norma shumë më të ulta të imunizimit, në zona ku varianti delta po rritet. Të enjten, Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha që kjo çon në “dy realitete” – zonat shumë të imunizuara të Amerikës që po kthehen normalitetit ndërsa shtrimet në spital po rriten në zona të tjera.