Kompanitë turke i bëjnë thirrje Arabisë Saudite të ndërmarrë hapa konkretë

Biznesmenët turq akuzojnë Arabinë Saudite se po merr qëndrim gjithnjë e më negativ ndaj kompanive turke

Biznesmenët turq u bënë thirrje autoriteteve saudite të marrin iniciativa konkrete për të zgjidhur problemet në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu referuar ankesave të raportuara nga ndërmarrjet turke dhe shtypi, OJQ-të turke të botës së biznesit theksuan në një deklaratë të përbashkët se ata presin që autoritetet saudite të marrin iniciativa konkrete për të zgjidhur problemet në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike.

Duke theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike pa probleme me Arabinë Saudite, deklarata shtoi: “Na vjen keq të shohim që Arabia Saudite po merr një qëndrim gjithnjë e më negativ ndaj kompanive turke”.

“Ne mësojmë nga ankesat e raportuara nga kompanitë turke, të cilat merren gjithashtu nga shtypi, se autoritetet saudite deklarojnë se nuk do të bëhej asnjë import nga Turqia”.

“Për më tepër, thuhet se shumë kompani saudite që furnizojnë mallra nga ndërmarrjet turke detyrohen të nënshkruajnë një letër ku zotohen se nuk do të importojnë mallra nga Turqia”, shton deklarata.

Deklarata gjithashtu tërhoqi vëmendjen ndaj paralajmërimeve të kompanive globale të logjistikës për klientët e tyre në lidhje me pengesat me të cilat përballen kompanitë turke në Arabinë Saudite, se ata duhet të jenë të përgatitur për kohë të gjata pritjeje në doganat saudite për mallrat që mbërrijnë nga Turqia dhe se importet nga Turqia madje mund edhe të bllokohen.

“Më në fund, ka qenë një zhgënjim masiv për biznesmenët e të dy vendeve që Presidenti i Këshillit të Dhomave Saudite z. Ajlan bin Abdul Aziz Al-Ajlan shkroi në Twitter më 3 tetor 2020 se është detyra e të gjithë shtetasve sauditë të bojkotojnë produktet turke”, thuhet më tej.

Duke theksuar se çdo iniciativë zyrtare ose jozyrtare për të bllokuar tregtinë dypalëshe do të ketë pasoja negative në marrëdhëniet tregtare dhe do të jetë e dëmshme për ekonomitë dhe qytetarët e të dy vendeve, deklarata gjithashtu theksoi: “Vërtet na vjen keq për trajtimin diskriminues me të cilin përballen kompanitë tona në Arabinë Saudite”.

“Ne kemi besim se mund të kapërcejmë çdo lloj problemi me dialog konstruktiv dhe bashkëpunim”, thuhet në deklaratë.