Komuniteti mysliman në Britaninë e Madhe do të udhëhiqet nga një grua

Zara Mohammed, 29-vjeçare nga Glasgou, tha se shpreson që zgjedhja e saj do të inkurojë më shumë gra dhe të rinjë që të synojnë pozita drejtuese.

Komuniteti mysliman në Britaninë e Madhe do të udhëhiqet për herë të parë nga një grua. Këshilli Mysliman i Britanisë së Madhe e ka zgjedhur udhëheqëse Zara Mohammed. Ajo tha se ndihej “e përulur dhe e nderuar” për këtë përgjegjësi.

Mohammed do të marrë detyrën e Sekretares së Përgjithshme të ombrellës më të madhe të xhamive, shkollave islamike dhe shoqatave myslimane në Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë pozitë ajo pason Harun Khan, i cili përfundoi mandatin katër vjeçar.

Zara Mohammed, 29-vjeçare nga Glasgou, tha se shpreson që zgjedhja e saj do të inkurojë më shumë gra dhe të rinjë që të synojnë pozita drejtuese.

“Unë mendoj se gratë nganjëherë hezitojnë të marrin role drejtuese edhe pse janë më shumë të kualifikuara për ta bërë këtë”, tha ajo, transmeton BBC.

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, shkroi në Twitter se emërimi i zonjës Mohammed ishte “i jashtëzakonshëm”.

Zonja Mohammed ka kryer një magjistraturë për të drejtat e njeriut.

Qëllimi i saj, siç ka thënë, është të vazhdojë të ndërtojë një organizatë gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, e udhëhequr nga nevojat e myslimanëve britanikë “për të mirën e përbashkët”. /REL