Niveli i ndërgjegjësimit për njohjen dhe mbrojtjen nga diskriminimi ende është i ulët. Një pjesë e mirë e qytetarëve nuk janë madje të vetëdijshëm se ata janë direkt ose indirekt të diskriminuar, ndërkaq mosbesimi ekziston edhe në institucione dhe organet për sanksionimin e autorëve apo atyre që diskriminojnë. Këto janë vetëm disa nga konkluzat nga realizimi i projektit “Parandalimi i diskriminimit ndaj fëmijëve romë”, të mbajtur në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Konferencën përmbyllëse “Pa dallime” u adresua kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili vuri në dukje detyrën dhe përgjegjësinë se ndërtimi i një shoqërie për të gjithë mbetet në krye të axhendës së qeverisë.
“Ky projekt përfundon, por për ne anëtarët e qeverisë, të institucioneve qeveritare, komisionet dhe agjencitë, kjo është vetëm një tjetër nxitje, një motiv shtesë që ne të gjithë së bashku, përfshirë edhe aktorë të tjerë të çështjeve që sugjeron projekti dhe rezultatet e kërkimit me angazhim edhe më të madh dhe energji të përqendrohemi që t’i përgjigjemi më së miri këtyre çështjeve, të cilat i tangon vetë raporti”, tha Zaev.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kombëtare Rome, Ashmet Elezovski theksoi se projekti “Parandalimi i diskriminimit ndaj fëmijëve romë” ka bërë një provokim të suksesshëm për të filluar procesin e reduktimit të diskriminimit dhe se në konferencën përmbyllëse kërkohet të gjendet ilaç i përbashkët dhe masa parandaluese.
“Diskriminimi nuk është një çështje e përditshme. Diskriminimi, proceset dhe problemet e romëve janë çështje politike, kjo nuk është lojë, kjo është një çështje që kërkon qasje të përshtatshme”, tha Elezovski duke shtuar se ata nuk janë të diskriminuar, por ka njerëz që diskriminojnë.
Avokati i Popullit, Ixhet Memeti tha se garantimi i të drejtës së barazisë dhe zhdukja e diskriminimit paraqet standardin më të lartë në korpusin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut.
“Në vend të përjashtimit ose diskriminimit, të zbatohet toleranca dhe përfshirja. Së bashku duhet të tregojmë gatishmërinë dhe me pjesëmarrjen e komunitetit rom të ndryshojmë gjendjen e tyre”, tha Memeti.
Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar, tha se problemi me të cilin përballen romët është kompleks dhe për këtë arsye kemi nevojë për një qasje integruese, politikë shtetërore, përfshirë dhe autoritetet lokale në mënyrë që të arrihen ndryshime pozitive.
Në konferencën përmbyllëse morën pjesë deputetët nga komuniteti rom Amdi Bajram dhe Samka Ibraimovski të cilët thanë se ishin gati në çdo mënyrë për të ndihmuar në problemin e diskriminimit me të cilin përballen fëmijët romë.
Problemet më të shpeshta të romëve lidhur me diskriminimin kanë të bëjnë me regjistrin amë, por ato shkaktojnë probleme me kujdesin social dhe shëndetësor, arsimin, strehimin dhe sferat e tjera të jetesës.



