Konsensusi që formoi Kosovën nuk ekziston më

Nga Redi Shehu

Në kohën kur pritej të mbahej takimi i Washingtonit mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, një manovër rrufe, bëri që bisedimet që do të kurorëzoheshin  në prani të Persidentit Trump, të dështonin brenda pak orësh. Prokuori i Specializuar i Gjykatë Speciale në Kosovë, lëshon një akuzë të pa provuar akoma, për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me motivin  “krime ndaj njerëzimit”. Kalibrimi i kujdesshëm i kohës së akuzës me agjendën e bisedimeve në Washington, ishte thelbi i gjithë asaj që ndodhi. Akuza nuk ishte një procedurë rutinë. Akuza u kthye në këmbëzën e një arme për t’u shkrehur jo kundra z. Thaçi, por kundra vetë Kosovës dhe pavarësisë së saj.

I gjithë faktori ndërkombëtar është për bisedime Kosovë- Serbi, por jo të gjithë ndërkombëtarët e konceptojnë në mënyrë të njëjtë këtë dialog. Për disa, dialogu përdoret thjesht si anestezi kohore për të çuar kujtesën e përbashkët në një neurozë historike, në një kujtesë të deformuar ku përdhunuesi, vrasësi, masakruesi dhe ai që bën gjenocid ditën për diell në qindra mijëra vetë, kthehet në viktimën e cila qan se nuk mund të bëjë tregti për shkak të taksës, ndërsa figura e kosovarit sot kthehet në vrasës dhe autor i “krimeve kundra njerëzimit”. Për disa të tjerë, bisedimet janë një etapë të cilës duhet ti vijë fundi me një produkt politik i cili duhet të jetë Kosova e pavarur e njohur përfundimisht nga Serbia. Këto dy qëndrime kryesore mbi bisedimet dhe fatin e Kosovës, sot janë të trupëzuar brenda dy blloqeve të mëdha Bashkimit Evorpian të përfaqësuar kryesisht nga Gjermani-Francë, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Askush nuk mund ta kishte imagjinuar se do ishte pikërisht Kosova simboli i çarjes së madhe mes politikave të boshtit euro-atlantik, e cila kishte filluar krisjen që me ndryshimet politike në Washington , por edhe me natyrën nacionaliste dhe sovraniste me të cilën Bashkimi Evropian po ndërtohej politikisht. Kosova sot, përbën vetëm majën e dukshme të antagonizmit të brendshëm brënda këtij boshti. Në fakt, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, vetë Kosova përfaqëson një shtet simbol të marrëveshjes politike brenda Perëndimit dhe nëse do të ishte dikush që do ta rrëzonte këtë simbol do të ishte pikërisht vetë Perëndimi, përmes shkatërrimit të konsensusit, pra shkatërrimit të simbolit vetë. Në këtë kuptim Kosova ndodhet në rrezikun më të madh ekzistencial të saj, që prej viteve’80 sepse konsesusi i cili prodhoi Kosovën duket se nuk ekziston më.

SH.B.A- të janë qartësisht të deklaruar për përfundimin e status-quosë vrasëse, e cila prej më shumë se një dekade e ka çuar në stanjacion vetë identitetin e shqiptarëve dhe jetën e tyre në Kosovë. Ata janë për një marrëveshje paqeje ku Kosova të njihet nga Serbia, duke i hapur rrugë një shteti me të drejta të plota në OKB, një shteti në prosperitet dhe siguri të plotë. Kjo njohje nga Serbia, i jep Kosovës në të njëjtën kohë edhe statusin e pacënueshmërisë si shtet, ndryshe nga situata aktuale ku ekzistenca e Kosovës është akoma ndërkombëtarisht e dobët e për rrjedhojë edhe pacënueshmëria nuk merr kuptim.

Për Kosovën gjërat që nga viti 2010 kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me vendimin e saj i dha të drejtë aktit të shpalljes së pavarësisë, gjërat kanë ardhur gjithmonë e duke u përkeqësuar. Nën petkun e dialogut me Serbinë në Bruksel, Kosova vetëm se ka humbur nga kredibiliteti i saj në arenën ndërkombëtare, por jo vetëm kaq , ajo në mënyrë të vazhdueshme është keqtajtuar nga organizmat e Bashkimit Evropian të cilët edhe pse i premtonin karrotën, kurrë nuk qenë në gjendje të mbanin premtimet e veta në raport me të. Ndërkohë që BE i linte kosovarët në geto, pa viza, pa vizon e të ardhme të qartë, Serbia vazhdonte në etapat e saja integruese në BE duke hapur negociatat për anëtarësim dhe duke shtuar influencën e saj në tërheqjen e njohjeve që shtete të ndryshme i kishin bërë pavarësisë së Kosovës. Po të vazhdonte kështu, kishte gjasa te ktheheshim ne epokën e para pavarësisë.

Në këtë pike, Shtëpia e Bardhë e kuptoi se BE- nuk mund  të ishte pjesë e zgjidhjes, por pjesë e problemit, dhe e pa të arsyeshme të ndërhynte direkt vetë për të përfunduar proçesin e paqes mes dy vendeve. Është pikërisht kjo inciativë amerikane në Kosovë e cila, për hir të së vërtetës u pa edhe në Shqipëri me reformën në drejtësi, e cila u kthye në uthullën e cila prishi shijen evropiane për Ballkanin. Ashtu si në Kosovë, ku të dyja BE dhe SHBA janë për dialog por për mënyra të ndryshme të tij, edhe në Shqipëri ata janë për reformën në drejtësi por për koncepte të ndryshme të implementimit të saj. Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias, sulmon direkt reformën në drejtësi ku nga gjashtë konstatimet e saj, katër bën përgjegjëse reformën në drejtësi për ngecjen sistemit gjyqësor në Shqipëri. Ndërkohë, që ambasadorja amerikanë në Tiranë, Yuri Kim, shprehet optimiste për këtë reformë, duke thënë se ajo është në një fazë rritjeje :”që tremb por nuk kënaq akoma”. Tashme, kontradikta mes politikës së SH.B.A-ve dhe Evropes lidhur me Kosovën dhe Shqipërine, ka mbërritur në një fazë të përparuar të dekadencës

Akuza e Gjykatë Speciale të Kosovës ndaj Presidentit Thaçi, nuk është një akt ndaj një individi duke e penguar fizikisht atë të shkojë në bisedime, por është një tentativë për të rifutur BE-në  në tryezën Kosovë-Serbi- SHBA të cilën Trump me anë të përfaqësuesit të vet Grenell, e kishte programuar pa pjesmarrjen e burokratëve të BE-së.  Akuza e Gjykates Speciale ndaj z.Thaçi pak ore para nisjes në Ëashington, ishte menyra më e ulët dhe më jodiplomatike e mundshme.

Si kryenegociator për palën kosovare, mungesa e z.Thaçi do të thoshte anullim të marrëveshjes në Washington. T’i lëmë hipokrizitë, të gjithë e dimë që Presidenti Thaçi i vetëm nuk mund të jetë aktori i një loje kaq të madhe. Ai në fakt nuk ka qenë kurrë i tillë ai është thjesht mjeti me të cilin amerikanët duan të mbyllin një marrëveshje për njohjen perfundintare te Kosovës shtet edhe nga Serbia. Thënë thjesht, çdo sulm ndaj Presidentit të Kosovës  lidhur me marrëdhëniet me Serbin, ka qenë sulm ndaj diplomacisë amerikane. Nga krahu tjeter, diplomacia evropiane e ngarkuar historikisht me ndjenja proserbe ka provokuar gjithmonë artifica, përtej gjuhës diplomatike, për të penguar dhe vonuar një shtet real kosovar. Rikthimi i mundshëm i BE-së në tryezën e bisedimeve nuk është një lajmi mirë për shqiptarët në përgjithësi.