Korçë, “ALSAR”, shpërndan bursa për studentet ekselentë

U zhvillua dje në Universitetin Fan S. Noli te qytetit të Korçës ceremonia e akordimit të bursave te ekselencës studenteve të këtij universiteti. Kjo veprimtari u realizua falë marrëdhënies se suksesshme të bashkëpunimit ndërmjet Fondacioni “ALSAR” dhe rektoratit të këtij universiteti.

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë Rektori i Universitetit prof. pr. Ali Jashari, dekani i Fakultetit të Histori – Filologjisë prof. dr. Sabri Laçi, kryetari i Fondacioni “ALSAR”, Z. Mehdi Gurra, pedagogë, drejtues të organizatave të shoqërisë civile, studentë të ekselencës dhe prindër të studentëve përfitues të kësaj burse.

Në këtë veprimtari përshëndeti të pranishmit dekani i Fakultetit të Histori – Filologjisë te universitetit të Tiranës Prof. Dr. Sabri Laçi, i cili vlerësoi veprimtarinë e larmishme të Fondacionit ALSAR në fushën e arsimit jo vetëm përmes projekteve të akordimit të bursave të studimit por edhe përmes realizimit te projekteve të përmirësimit të infrastrukturës arsimore në shkollat publike dhe pajisjen e tyre me bazë materiale e didaktike, duke i konsideruar ato si një kontribut të vyer në shërbim të shoqërisë e duke theksuar se investimi në arsim është investimi me i qëndrueshëm për të sotmen dhe për të ardhmen e vendit.

Fjala e tij u pasua nga ajo e gjuhëtarit te mirënjohur prof.dr Emil Lafe i cili do të referonte rreth veprimtarisë botuese të Fondacionit ALSAR duke u ndalur në mënyrë të veçantë rreth botimeve në fushën e albanologjisë si një kontribut i çmuar për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare.

Në vijimësi, kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Z. Mehdi Gurra në fjalën e tij përshëndetëse

do të theksonte përmes gjuhës së shifrave se ky është viti i 6-të i zbatimit të këtij programi arsimor në mbështetje të studentëve të ekselencës se universiteteve publike. Risia e këtij programi gjatë këtij viti akademik është se ai tashmë është shtrirë edhe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe atë të Korcës “Fan S. Noli”, si dhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së studentëve, këtë vit e drejta i është deleguar edhe rektorateve të universiteteve sipas kuotave dhe kritereve të përcaktuara. Gjatë këtij viti akademik do të ofrohen 150 bursa me synimin për t’u ofruar studenteve mundësi të reja që ata të zgjerojnë horizontin e njohurive të tyre, të aftësohen në drejtim të formimit, zhvillimit dhe përgatitjes së tyre të specializuar profesionale dhe duke i orientuar edhe me asistencë motivuese morale, materiale dhe akademike. Ndër të tjera ai do ti drejtohej me këto fjalë studenteve të pranishëm: “Ne ju inkurajojmë në mënyrë që ju të jeni gjithmonë të parët, gjithmonë në avangardë, që me njohuritë tuaja bashkëkohore mbi shkencën e teknologjinë si dhe me të gjitha aftësitë tuaja të përfituara, të angazhoheni për të marrë pjesë në zhvillimin e vendit dhe për ta çuar atë përpara në rrugën drejt progresit e prosperitetit të tij, duke kontribuuar kështu për ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë të tij” tha Z. Gurra.

Më pas Rektori i Universitetit prof. dr. Ali Jashari, në fjalën e tij i shprehu mesazhin e mirënjohjes dhe të falënderimit Fondacionit “ALSAR” për këtë mbështetje të dhënë ndaj studentëve dhe në emër të institucionit që ai drejton i akordoi certifikatën e mirënjohjes Kryetarit të Fondacionit “ALSAR” Z. Mehdi Gurra me rastin e realizimit të suksesshëm këtij projekti.
Në përfundim të kësaj ceremonie studentëve të pranishëm iu akorduan çeqet e bursave të inkurajimit për vitin 2020 si dhe iu dhuruan botimet e Fondacionit “ALSAR”.

Media e shkruar dhe vizive ishte e pranishme në këtë aktivitet, e interesuar për t’ia përcjellë atë publikut.