Kosova “bllokon” rusët: Këtu kaloni vetëm me vizë, përfshirë diplomatët

Të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë tranzsit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.

Vendimi u mor në mbledhjen e qeverisë në Prishtinë, pak pasi Rusia aneksoi katër territore të Ukrainës.

“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje-qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Shengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës”, tha Kurti.

Deri më tani qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u lejohej hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës, pa vizë.

Gjithashtu nuk kishin nevojë për tu pajisur me vizë kosovare edhe shtetasit e vendeve për të cilët Prishtina aplikon regjim vizash, por që kishin leje qëndrim biometrik valid të lëshuar nga njëri ndër shtetet e Zonës Shengen.

Në 31 gusht, Bashkimi Evropian pezulloi marrëveshjen për viza me Rusinë si një “hap të parë të domosdoshëm”. Për pasojë, rusët do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë.

Kievi i ka bërë thirrje BE-së që të ndalojë dhënien e vizave për të gjithë rusët, përveç disidentëve politikë.