Kosova ftohet zyrtarisht në mini-shengen, Rama, Zaev dhe Vuçiç diskutojnë projektet e infrastrukturës

Të tre udhëheqësit ftuan gjithashtu zyrtarisht Kosovën që t’i bashkohet nismës. Ftesa vjen pas takimit të Uashingtonit midis Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Zyrtarisht udhëheqësit që themeluan mini-Shengenin ftuan edhe Kosovën në nismën e bashkëpunimit rajonal. Tre udhëheqësit e Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë nuk u takuan dot kokë më kokë për samitin e radhës të mini-Shengenit, por nëpërmjet një bisede online ranë dakord të diskutojnë projektet e përbashkëta në infrastrukturë.

Tani që Bashkimi Europian ka shpallur pakon financiare të dhe investimeve për Ballkanin e Perëndimor, udhëheqësit e tre vendeve që kanë themeluar nismën e bashkëpunimit rajonal të mini-Shengenit u takuan virtaulisht për të diskutuar projektet e përbashkëta në infrastrukturë dhe lidhjen e tyre me axhendën e zhvillimit të rajonit.

Kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev si dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç zhvilluan një takim online të premten për rifillimin e nismës që u prezantua vitin e kaluar.

Të tre udhëheqësit ftuan gjithashtu zyrtarisht Kosovën që t’i bashkohet nismës. Ftesa vjen pas takimit të Uashingtonit midis Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Të tre udhëheqësit thanë se shpresojnë që, së shpejti, nismës t’i bashkohen edhe qeveritë e Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi kështu mund të arrihet një bashkëpunim më i mirë ekonomik midis të gjitha vendeve të rajonit, çka do të sillte si rezultat rritjen e lirive, tregtisë dhe përgjithësisht, standarde më të mira jetese për të gjithë popujt e rajonit.

Gjatë takimit online, Presidenti Vuçiç dhe kryeministrat, Rama dhe Zaev, theksuan se nisma është në përputhje të plotë me Procesin e Berlinit dhe përbën një bazë të mirë për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për takimin e ardhshëm që do të mbahet në nëntor në Sofje.

Këtë vit, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë bashkëkryesuese të Procesit të Berlinit. Po ashtu, tre udhëheqësit ranë dakord që të thellojnë bashkëpunimin në lidhje me shëndetin publik për të luftuar kundër Covid-19. /oranews