Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur sot takim konsultativ me kompanitë prodhuese, tregtare dhe eksportuese, lidhur me masat dhe rekomandimet e sektorit privat në raport me zhvillimet e reja me koronavirusin (Covid-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi tha se pas takimit që ka pasur me këto kompani është dhënë mesazh i qartë se “Kosova ka artikuj apo mallra të mjaftueshme për të kaluar një kohë mjaft të gjatë nga çfarëdo rrethana”.
Përpos këtij mesazhi, kompanitë prodhuese, siç tha Rukiqi kanë parashtruar edhe nevojën për marrjen e masave të cilat mund ta lehtësojnë çfarëdo lloj dëmi që mund t’u shkaktohet nga kompanitë në këtë kohë.
“Nuk ka ende ndonjë problem të theksuar për ndonjë produkt të caktuar. Domethënë ende vazhdon ardhja e lëndës së parë, si e metalit, grurit, e produkteve tjera që vinë nga vende të ndryshme si Turqia por edhe nga vendet evropiane. Ka më shumë vonesa në kontrollet doganore, tani është rritur pak pjesa e kontrolleve doganore, e porteve. Mirëpo, nga kjo deri më tash nuk është shfaqur ndonjë problem me furnizim”, tha Rukiqi.
Ai tha se dje ka pasur shqetësime të parashtruara nga qytetarët e Kosovës për rritje të paarsyeshme të artikujve në disa biznese të caktuara duke shfrytëzuar situatën e panikut nga koronavirusi tek qytetarët. Për këtë ai tha se këto biznese duhet të gjobiten ngase “kjo sjellje e bizneseve të papërgjegjshme, dëmton edhe bizneset e përgjegjshme”.
Sa i përket rritjes së çmimeve nga disa biznese në Kosovë, Agjencia Tatimore e Kosovës (ATK), ka hapur një linjë telefonike për ankesat e qytetarëve, ku njoftoi se deri më tani ka pranuar 228 thirrje nga konsumatorët.
“Sot nga ora 10:00 deri më tani përmes linjës pa-pagesë 0800 80 800 kemi pranuar 228 thirrje nga qytetarët, të cilët kanë raportuar rritje të çmimeve, kryesisht tek marketet dhe farmacitë, të njëjta janë adresuar tek inspektorët tatimor për trajtim ligjor”, shkruan në një komunikatë për media ATK.
Për këto biznese, ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi i cili vizitoi sot ATK-në kërkoi të merren “masa rigoroze”.
Në Kosovë, deri më tani nga dhjetëra pacientë të kontrolluar në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), nuk ka rezultuar asnjë me koronavirus (Covid-19).



