‘Kosova ka të drejtë’, Rama thirrje Vuçiçit të mos nxisë grupet në Veri

Kryeministri Edi Rama e cilësoi zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit mes Kosovës dhe Serbisë si një e drejtë e shtetit të Kosovës për të ushtruar sovranitetin territorial.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij spanjoll Pedro Sanchez, Rama tha se temë e bisedës kishte qenë edhe Kosova. Teksa u ndal tek situata në Veri të Kosovës,  Rama tha se zbatimi i marrëveshje të nënshkruara është e drejtë dhe detyrim i një shteti të poavarur si Kosova.

“Qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë marrëveshje për t’u zbatuar. Ne e përshëndesim shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshje.

I bëj thirrje autoriteteve në Beograd, presidentit Vuçiç që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi apo alibie grupe të caktuara në veri të Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje”, tha Rama.