Kosova letër FIFA-s: Ndalni ndeshjet ilegale në veri

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se i ka shkruar zyrtarisht letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantinos dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferinin, në lidhje me strukturat paralele që po aplikohen nga Serbia në territorin e saj.

Aktivitetet e fundit të ashtuquajturit klub Trepça nga Mitrovica e Veriut kanë ngjallur shqetësimin e FFK, shkruan Top Channel.

Ky klub së fundmi u përfshi në nivelin e tretë të futbollit të Serbisë dhe kjo shtyu Federatën e Futbollit e Kosovës të reagojë dhe të kërkojë nga UEFA e FIFA që të ndërhyjnë në këtë çështje dhe ta detyrojnë Federatën e Futbollit të Serbisë që t’i ndalojë të gjitha aktivitetet e saj në territorin e Kosovës.

FFK-ja po ashtu ka kërkuar nga UEFA dhe FIFA ta detyrojnë Federatën serbe që ta ndryshojë statutin e saj, ku Kosovën e paraqet si pjesë të federatës së tyre, e që është në kundërshtim me realitetin dhe statutet e FIFA-s e UEFA-s.

Sipas Prishtinës zyrtare, nëse FIFA dhe UEFA nuk ndërhyjnë dhe shfaqin vendosmëri, futbolli do të shkaktojë edhe më shumë konflikt politik, që do të ishte i paprecedent dhe dëmtues ndaj shtëpive të futbollit.