Kosova miraton buxhetin, 100 mln euro për ushtrinë

Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022, në vlerën dy miliardë e 748 milionë euro. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se për herë të parë 100 milionë euro do të shkojnë për Ushtrinë e Kosovës, si dhe synohet që gjatë vitit të ardhshmë të rekrutohen 800 ushtarë të rinj.

Do të fillojë ndërtimi i 50 çerdheve në të gjithë vendin. 45 milionë euro do të shpenzohen për të mbështetur nënat përmes pagesës për të gjitha lehonat dhe për shtesat për fëmijë. Gjithashtu do tu jepen mbi 2 mijë bursa shtesë për studentët me rezultatet më të mira.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se janë shtuar 35 milionë euro për pensionet dhe skemat sociale që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro dhe shtesa për skemën sociale prej 30 për qind të bëhet e përhershme”,.

Në buxhet parashikohen 10 milionë euro për blerjen e ambasadave për shtetet aleate.

Rritje të buxhetit ka pasur edhe për bujqësinë në vlerë prej 70 milionë euro. Do të nisi ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë që të bashkojë dy qytete që i ndan mali i Sharrit, tha kurti.

Për herë të parë u buxhetua mbështetje për Luginën e Preshevës me shumë prej dy milionë euro. Dhjetë milionë euro do të shpenzohen për pajisje moderne të policisë dhe zjarrfikëseve.