Kosova nënshkruan marrëveshje “për hapjen e mundësive financiare” me SHBA-në

Kosovës është vendi i parë në Ballkanin Perëndimorë që ka nënshkruar Marrëveshje për Nxitjen e Investimeve (IIA) me Korporatën e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC)

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett nënshkruan një Marrëveshje të re për nxitjen e investimeve në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja në fjalë, ia mundëson Korporatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) si dhe Bankës për Zhvillim të Amerikës, për të sjellë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare në Kosovë.

Siç bëhet e ditur nga komunikata e Qeverisë së Kosovës, marrëveshja gjithashtu shpreh vullnetin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve për të inkurajuar aktivitetet ekonomike në Kosovë që promovojnë zhvillimin ekonomik dhe kapacitetet prodhuese të vendit tonë.

Për këtë marrëveshje AA ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili u përgjigj se ajo derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Siç tha kryeministri Hoti, nga kjo marrëveshje e nënshkruar, bizneset kosovare janë ato të cilat do të përfitojnë më së shumti.

“Sot me një marrëveshje të re e cila siguron financim për bizneset kosovare dhe për projektet që janë pjesë e marrëveshjes së Washingtonit (4 shtator). Unë besoj se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një arritje e madhe dhe tani kjo marrëveshje hapë rrugë për nënshkrimin e marrëveshjeve tjera financuese për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e Washingtonit”, theksoi Hoti.

Nënshkrimi i sotëm pason vizitën që Adam Boehler, kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, ia bëri Kosovës në shtator. Gjatë asaj vizite, Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera.

Republika e Kosovës është vendi i parë në Ballkanin Perëndimorë që ka nënshkruar Marrëveshje për Nxitjen e Investimeve (IIA) me Korporatën e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC).