“Kosovarët në rrethana pandemie shpenzuan 10 milionë euro jashtë vendit fundjavën e kaluar”

Sipas kreut të AKB-së, Agim Shahini, rreth 30 mijë kosovarë kanë dalë jashtë kufijve të Kosovës fundjavën e kaluar pasi që qeveria zbatoj masat kufizuese

Rreth 10 milionë euro kanë shpenzuar shtetasit e Kosovës në fundjavën e kaluar në Shqipëri dhe në Mal të Zi, pasi në Kosovë hynë në fuqi masat e reja anti-COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu ka bërë të ditur Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) nëpërmjet një hulumtimi të shpalosur në konferencë për media.

Hulumtimi i cili kishte për qëllim të vinte në pah dëmin ekonomik që i shkaktohet Kosovës me rastin e vendosjes së masave të reja kufizuese anti-COVID-19, është kryer nga 9 deri më 12 prill.

Sipas kreut të AKB-së, Agim Shahini, rreth 30 mijë kosovarë kanë dalë jashtë kufijve të Kosovës fundjavën e zgjatur (me rastin e ditës së pushimit edhe për Ditën e Kushtetutës: të premten), të cilët kanë shpenzuar rreth 100 euro në ditë.

“AKB vlerëson se kosovarët shpenzuan rreth 10 milionë euro për këtë vikend në Shqipëri e Mal të Zi pasi qeveria zbatoi masat kufizuese dhe mbylljen e qendrave tregtare, hoteleve, restoranteve dhe kafeve në Kosovë. Dhe, ishte një mbyllje në Kosovë ku qytetarët e lëshuan vendin për 3 deri në 4 ditë”, theksoi Shahini.

Sipas hulumtimit, vetëm 5 për qind e vizitorëve nga Shqipëria e kalojnë vikendin në Kosovë në kushte normale. Ndërkaq, këtë vikend nuk ka pasur vizitorë nga vendet rajonale për shkak të masave kufizuese të vendosura nga qeveria nga 7 prilli.

Nga Qeveria e Kosovës, daljen e mijëra qytetarëve nga vendi kryesisht drejtë Shqipërisë e Malit të Zi gjatë fundjavës së kaluar e kanë komentuar si diçka jo të jashtëzakonshme, duke krahasuar me një rast të njëjtë nga vitit 2019, kur nuk kishte pandemi.

Por, sipas Shahinit, kjo nuk do të duhej të ndodhë në kohë të pandemisë kur ekonomia është në rënie.

“Përafërsisht në vitin 2019 në kushte normale ka qenë një fundjavë e tillë e ngjashme, por, në kushte normale. Në kushte krize, në kushte të kufizimit dhe bllokadës, të ikin nga Kosova 10 milionë euro nuk është normale, që me kapitalin tonë ta rrezikojmë shëndetin kur të kthehemi, sepse nuk e dimë se a kanë pasur kontakt atje me ndonjë të infektuar apo jo”, thotë Shahini.

AKB i ka rekomanduar qeverisë që pas datës 18 prill të lejohet puna e plotë e bizneseve, duke shprehur shqetësim se “përkeqësimi ekonomik në vend është duke u thelluar”.