Kosovarja zyrtarisht në Guinness me flamurin më të madh shtetëror në origami

“Me shumë emocione dhe krenari, dua t'ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami - Flamurin e Republikës së Kosovës”, shkroi autorja Arbnora Fejza-Idrizi

Kosovarja Arbnora Fejza-Idrizi ka marrë konfirmim nga “Guinness World Records” se mozaiku i punuar nga ajo me letra prej origami me flamurin shtetëror të Kosovës prej 1.216 metra katrorë, është bërë mozaiku më i madh i këtij lloji në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një shkrim në rrjetet sociale, Arbnora ritheksoi se për këtë punë i është dashur rreth një vit kohë për t’u përgatitur dhe katër muaj për të krijuar mbi 120 mijë fletëpalosje origami, e cila u përmbyll me një punë intensive prej 13 orësh me vendosjen e letrave në një sallë sportive në qytetin e Skenderajit.

“Me shumë emocione dhe krenari, dua t’ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës. Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund çdo herë”, shkroi ajo.

Rekordi i ri është publikuar edhe në faqen zyrtare të Guinness, ku shpaloset shkurtimisht puna që ka bërë mësimdhënësja nga Skenderaji bashkë me 25 nxënës për të shënuar edhe simbolikisht 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë të realizuar më herët për AA, Arbnora Fejza-Idrizi kishte thënë se garën për rekordin në Guinness e kishte regjistruar në emër të gjimnazit “Hamëz Jashari” dhe fitoren do t’ja dedikojë familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të luftës së Kosovës.

Deri më tani, rekordin në këtë kategori e ka mbajtur një shkollë në Mongoli, me një punim prej 1.167 metrash katrorë.