Kosovë, 1 viktimë dhe 720 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24-orësh lidhur me rastet e reja të koronavirusit të ri (COVID-19) ka njoftuar se 1 person i infektuar me koronavirus ka vdekur, derisa numri i viktimave nga ky virus ka shkuar në 2.995, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 720 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 167.582.

Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 4.785 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.485.287 teste.

Të dhënat e fundit kanë njoftuar për 159 persona që kanë fituar betejën me koronavirusin. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 158.909, ndërsa numri i rasteve aktive është 5.678.

Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 5.478 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.722.865 doza të vaksinës. Deri më sot 797.229 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.