Kosovë, 4 të vdekur dhe 281 raste të reja me COVID-19

Bazuar në të dhënat e IKSHPK-së, 281 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, me çka numri i tyre i përgjithshëm ka shkuar në 18.626

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit katër persona të tjerë të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke e çuar në 673 numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga ky virus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), 281 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, me çka numri i tyre i përgjithshëm ka shkuar në 18.626.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 932 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga 8 shkurti deri më tani janë testuar gjithsej 90.040 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat tregojnë për 97 pacientë të ri të shëruar, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në 15.295 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.658.