Kosovë, 5 viktima dhe 353 raste të reja me COVID-19

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 49.269 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.172

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 5 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke e çuar në 1.410 numrin e viktimave nga ky virus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK) edhe 353 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në 55.851.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 1.642 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar gjithsej 208.583 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 279 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 49.269 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.172.