Kosovë, Blerim Reka merr zyrtarisht detyrën e ministrit për Integrim Evropian

"Unë mendoj se ky proces është një maratonë stafete, i cili as fillon nga paraardhësja ime as nuk përfundon nga unë, por do të jetë një proces i gjatë i rëndë dhe i përgjegjshëm", tha Reka

Ministri i ri i Kosovës për Integrim Evropian, Blerim Reka, sot ka marrë zyrtarisht detyrën nga ministrja e deritanishme Dhurata Hoxha, raporton Anadolu Agency (AA).

Hoxha i ka dorëzuar ministrit të ri në objektin e kësaj ministrie një raport mbi punën e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe e ka uruar atë për detyrën e re.

Ndërkaq, Reka tha se procesi i integrimit evropian është një proces maratonë që as nuk fillon me paraardhësen e tij dhe as nuk do të përfundojë me të.

“Do të përmend përvojën e shteteve të tjera, ku asnjë anëtarësim nuk ka ndodhur brenda mandatit të një qeverie. Është përcjellë në mënyrë graduale prej qeverisë në qeveri. Unë shpresoj se Kosova do të dëshmojë kapacitetin institucional ashtu siç e ka dëshmuar deri tash vullnetin politik për orientimin strategjik euroatlantik”, tha Reka.

Ministri i ri për Integrim Evropian, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, premtoi transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale në punën e tij.

Ai gjithashtu tha se planifikon të inaugurojë një proces dialogu shoqëror për integrimin euroatlantik, një platformë ku “do t’i takojë në baza mujore shoqërinë civile, institutet hulumtuese, por edhe vazhdimisht takime të rregullta me mediat”.

Duke komentuar metodologjinë e re për procesin e pranimit në Bashkimin Evropian (BE), e cila dje u miratua nga Komisioni Evropian, Reka tha se në takimin e parë të tij me shoqërinë civile do të analizojë se çfarë efektesh mund të ketë metodologjia e re në Kosovë.

“Në një anë, duket se është një metodologji kushtëzuese, zvarritëse dhe graduale e tërë procesit të zgjerimit, por nga ana tjetër ka diçka që nuk ka qenë në strategjitë e mëparshme e kjo është matshmëria e procesit me kritere shumë strikte”, theksoi Reka.

Blerim Reka është akademik shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i lindur në vitin 1960. Ai është politikani i vetëm shqiptar nga Maqedonia e Veriut i cili është bërë pjesë e qeverisë së re të Kosovës në udhëheqje nga Albin Kurti. Reka së fundmi ishte kandidat i pavarur për president në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, ai ka qenë edhe ambasador i Maqedonisë së Veriut në Bruksel, si dhe ka mbajtur disa pozita këshillimore diplomatike dhe ligjore.