Kosovë, dhjetëra infermierë protestojnë me kërkesë për mbështetje financiare nga qeveria

Kryeinfermieri dhe organizatori i protestës Enlirat Duraku tha se 1 milion e 700 mijë euro është shuma e cila kërkojnë si mbështetje për të gjithë infermierët në Kosovë

Dhjetëra infermierë kanë protestuar para Klinikës së Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, me kërkesë për mbështetje më të madhe financiare nga ana e qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeinfermieri dhe organizatori i protestës Enlirat Duraku i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia që të mos injorohen kërkesat e infermierëve “të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre çdo ditë” në përballje me COVID-19.

Ai tha se 1 milion e 700 mijë euro është shuma e cila kërkojnë si mbështetje për të gjithë infermierët në Kosovë.

“Protesta e sotme është thirrur për ngritje të pagesës së ndërrimeve të natës, nga 18 euro në 36 euro, pagën e punës gjatë vikendeve dhe orët shtesë sikurse u paguhen edhe mjekëve, si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë”, theksoi Duraku, i cili po ashtu, me të njëjtat kërkesa është në grevë urie tash e tre ditë.

Duke marrë parasysh gjendjen epidemiologjike në vend e cila po ashtu ka prekur edhe ekonominë kosovare, pjesëtarë të qeverisë javën e kaluar kërkuan mirëkuptim nga të gjithë sektorët. Por, sipas Durakut, qeveria nuk i ka ndarë drejtë ndihmat financiare.

“Nuk mund ta justifikojmë qeverinë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm. Përderisa kuvendi ka mundësi të ndajë buxhet prej 200 mijë eurove për kafe, e po kështu derisa qeveria ka buxhet ta paguajë energjinë elektrike të minoriteteve, duhet të ketë buxhet edhe për komunitetin më vital, shtyllën e shëndetësisë në Kosovë”, theksoi Duraku.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ndau rreth 20 milionë euro ndihmë financiare për sektorë të ndryshëm të cilët janë dëmtuar nga efektet e mbylljes për shkak të pandemisë COVID-19 si dhe kanë qenë të ekspozuar ndaj këtij virusi me punën e tyre.

8,5 milionë euro janë ndarë për shtesa për 30 për qind për skemat sociale. Mbi 5 milionë u ndanë për sektorin e shëndetësisë, ndërsa 6 milionë euro për gastronominë dhe bizneset e tjera të cilat kanë pësuar humbje gjatë periudhës nga 7 deri më 19 prill si pasojë e masave të marra nga qeveria që kanë ndaluar apo pezulluar punën e tyre.