Sot është organizuar ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së kreut të Kryesisë së Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk), raporton Anadolu Agency (AA).
Komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım me anë të ceremonisë ia ka dorëzuar detyrën kolonelit Numan Baş.
Ceremonia është zhvilluar në kazermën “Sultan Murat” në Prizren, ku kanë marrë pjesë ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Kosovës, Müferra Şinik, deputeti i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fikrim Damka si dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë të shteteve tjera që janë pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë.
Ceremonia filloi me intonimin e himneve të të dyja vendeve.
Barım në fjalën e tij tha se ushtria turke me gjithë forcën e saj ka punuar për të kontribuar në paqen dhe qetësinë e Kosovës.
Ai tha se gjatë detyrës së tij kanë zhvilluar aktivitete të panumërta dhe se këto ndihma i janë bërë popullit të Kosovës.
“Me aktivitetet që kemi zhvilluar kam patur mundësinë që ta njoh popullin e Kosovës nga afër, të njoh buzëqeshjen, sinqeritetin, miqësinë, mikpritjen e tyre si dhe të shijoj ushqimet e tyre të shijshme. Kisha mundësinë që ta shoh nga vendi vëllazërinë turko-kosovare dhe miqësinë qindra vjeçare”, tha ai.
Pas fjalimeve, Barım flamurin e KFOR-it Turk ia dorëzoi komandantit të ri Baş. Ndërsa Baş i dha atij medaljen me rastin e përfundimit të detyrës njëvjeçare.
Ceremonia përfundoi me një koktej të organizuar për të pranishmit.



