Kosovë, Haradinaj viziton stendën e organizatës “Autizmi flet”

Haradinaj tha se erdhi për të shprehur në mënyrë simbolike respekt të veçantë për këtë organizatë vullnetare të të rinjve që u ofron shërbime fëmijëve me autizëm

 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot stendën shitëse të organizatës “Autizmi flet”, që ka për qëllim të ofrojë ndihmë për fëmijët me autizëm dhe me këtë rast ka blerë 60 kartolina të punuara me dorë, raporton Anadolu Agency (AA).

Haradinaj tha se erdhi për të shprehur në mënyrë simbolike respekt të veçantë për këtë organizatë vullnetare të të rinjve që u ofron shërbime fëmijëve me autizëm dhe gjithashtu për t’i mbështetur ata në blerjen e kartolinave.

“Fëmijët me autizëm janë edhe fëmijë me talente të veçanta, por kërkojnë edhe kujdes të veçantë. Të gjithë që kujdesen për ta u falënderohem nga zemra dhe vërtetë mendoj se puna e tyre është humanizëm i jashtëzakonshëm. Edhe ne si Qeveri, por edhe të gjitha institucionet, shpresoj se do të vetëdijësohemi më shumë që t’u jemi më afër”, tha kryeministri i Kosovës, Haradinaj.

Drejtoresha e organizatës “Talk Talk”, Violeta Hyseni e cila edhe vet është nënë e një vajze 16 vjeçare me autizëm, falënderoi kryeministrin për mbështetjen dhe tha se fondet nga kartolinat e blera do të shkojnë në fondin e organizatës. Ajo tha se ka shumë vullnetarë që punojnë me persona me autizëm dhe se bëhet fjalë kryesisht për psikologë të diplomuar, logopedë dhe ekspertë të tjerë.

Ajo shtoi se në qendrën e organizatës së saj, 22 fëmijë për çdo ditë vijnë dhe marrin shërbime, ndërsa shërbime të ngjashme ofrojnë edhe disa organizata tjera.

“Fatkeqësisht ende nuk kemi shkollë për fëmijët me autizëm ku ata fëmijë do të mund të shkollohen dhe edukohen. Shpresojmë, dhe dëshira ime për fundin e këtij viti është që në në vitin 2019 të fitojmë një shkollë adekuate për personat me autizëm. T’ua heqim barrën prindërve që kanë gjithë kohën çfarë do të bëjnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, tha Hyseni.

Ajo theksoi se nuk ka të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve me autizëm në Kosovë, por numri i tyre është në rritje. Hyseni gjithashtu vuri në dukje se në botë, madje edhe në Evropë, çdo i 60-ti fëmijë lind me autizëm dhe shkenca ende nuk e ka përcaktuar se cili është shkaku i autizmit.