Kosove, kaloi me sukses projektligji për rimëkëmbje ekonomike

Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim, ka votuar sot në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Kuvendi i Kosovës më në fund i ka dhënë dritën e gjelbër projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Në tentimin e shtatë, votuan 64 deputetë pro për ta kaluar në parim këtë projektligj. Kundër projektligjit kishin dalë partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës. Pika më e diskutuar në kuadër të këtij projektligji ka qenë ajo që ua mundëson qytetarëve të tërheqin dhjetë për qind të mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës.

Votimit i parapriu një debat mes krye-parlamentares Vjosa Osmani dhe shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, me krye-parlamentaren e cila tha se s’është kontaktuar fare nga Qeveria për projektligjin. Megjithatë, Osmani e konfirmoi votën pro teksa po ashtu kërkoi nga pushtetarët që në mes të dy leximeve të merren parasysh edhe vërejtjet e opozitës.

Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti. Për të ndihmuar sektorin privat, Qeveria e Kosovës më 28 shtator, ka ndarë rreth 87 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, për qytetarët në nevojë, për disa ministri dhe të tjera. Nga kjo vlerë, 60 milionë euro u ndanë për bizneset, të cilat do të përfitojnë varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019. Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.