Kosovë, konfirmohet rasti i parë me variantin afrikan të COVID-19

“Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja. Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës”, njofton IKSHPK

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka bërë të ditur se është konfirmuar për herë të parë varianti afrikan i koronavirusit (COVID-19) në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur nga IKSHPK, pacienti është hospitalizuar dhe është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja. Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës”, njofton IKSHPK.

Ekipet hulumtuese të IKSHPK-së po gjurmojnë aktualisht të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut.

“Masat parandaluese janë të njëjta. Personat të cilët rezultojnë pozitivë duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit”, theksohet në njoftim.

IKSHPK ka përsëritur thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.