Kosovë, kryeministri Hoti raporton para deputetëve për Marrëveshjen e Washingtonit

Përpos kritikave nga deputetë të opozitës, deputetë që përfaqësojnë minoritetet në Kuvend nga grupi 6+ kanë thënë se nëse Kosova hap ambasadë në Kuds, “do ta shqyrtojnë mbështetjen e tyre për këtë Qeveri”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka raportuar në Kuvendin e Kosovës rreth marrëveshjes për stabilizim ekonomik Kosovë-Serbi, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 4 shtator, në prani të presidentit amerikan Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Hoti para deputetëve të pushtetit dhe opozitës, tha se Kosova nuk ka humbur asgjë me nënshkrimin e marrëveshjes në Washington. Përkundrazi, sipas tij, vetëm ka fituar.

“Nëse pyesni se çfarë kemi fituar nga kjo marrëveshje: Kosova ka fituar 1 miliardë dollarë, njohje nga Izraeli, partneritet më të fuqishëm në 10 vitet e fundit me SHBA-të si dhe përfshirje të SHBA-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Nëse pyesni se çfarë humbi Kosova nga kjo marrëveshje: Asgjë”, tha ai.

Megjithatë, Hoti tha se marrëveshja nuk është perfekte, duke shtuar se do të ishte e tillë sikur të përmbyllej në Washington me njohje reciproke Kosovë-Serbi.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se Kosova nuk ka dalë me fitore nga Shtëpia e Bardhë më 4 shtator dhe për këtë ka pyetur rreth disa detajeve kryeministrin Hoti.

“Nëse paska fituar Kosova, çfarë fiton Kosova me Mini-Schengenin? Çfarë përfiton Kosova me daljen e Serbisë në Detin Adriatik? Çfarë fiton Kosova nëse Serbia bëhet hisedare në Liqenin e Ujmanit?”, ka pyetur Selimi.

Ai ka thënë se për dialogun Kosovë-Serbi janë miratuar 6 rezoluta, ndërkaq lidhur me këtë temë është shtuar edhe një draft-rezolutë sot nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, tha se Qeveria e Kosovës dhe delegacioni shtetëror në Washington nuk ka negociuar asnjë pikë të marrëveshjes së nënshkruar.

Hoxhaj kërkoi nga Hoti dëshmi nëse e kundërta e kësaj është e vërtetë, duke bërë publike pikat që janë hequr, pikat që janë shtuar dhe ato që janë negociuar.

“Ka pasur një pikë të 10-të ku të dyja palët zotohen për njohje reciproke. I ka larguar ato Serbia. Kryeministri le të tregojë se sa ka insistuar që të ndodhë e kundërta”, tha Hoxhaj.

Zotimi për njohje reciproke me Izraelin është vetëm zotim, tha Hoxhaj, ngase siç theksoi ai “njohja është akt politik dhe formal”. Ai gjithashtu tha se asnjë vendim nuk është marrë nga pala izraelite.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, tha se marrëveshja e Washingtonit ka konfirmuar rolin kyç të SHBA-së. Sipas saj, një marrëveshje finale me Serbinë nuk është e garantuar pa përfshirjen e SHBA-së.Kosovë, kryeministri Hoti raporton para deputetëve për Marrëveshjen e Washingtonit

“I gjithë ky proces i udhëhequr nga BE-ja degradoi deri në atë pikë ku Kosova mbeti spektatore në tavolinë. Kosova hodhi hap të madh përpara me marrëveshjen në Washington. SHBA-ja rikonfirmoi rolin e madh. Presim që edhe BE-ja të tregojë seriozitetin e njëjtë me njohjen nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Kadrijaj, e cila u bëri thirrje për bashkim spektrit politik për fazën e ardhshme të dialogut.

Nga Grupi 6+ që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvend, deputeti Fikrim Damka ka deklaruar se grupi i tyre janë ndarë të pakënaqur me marrëveshjen e arritur në SHBA, konkretisht pikën për hapjen e ambasadës së Kosovës në Kuds.

Madje, Damka ka paralajmëruar kryeministrin Hoti se nëse Kosova hap ambasadën e saj në Kuds pas njohjes reciproke Kosovë-Izrael, ata do ta shqyrtojnë mbështetjen e tyre për këtë Qeveri.

“Ne do ta shqyrtojmë përkrahjen tonë për këtë Qeveri nëse kjo Qeveri vendos të hapë një ambasadë në Jeruzalem (Kuds). Qeveria duhet t’i ketë parasysh të gjithë, edhe pikëpamjet tona”, ka deklaruar ai.

Marrëveshja për normalizim ekonomik e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë u pa nga ana e Qeverisë së Kosovës “si hap i madh historik drejtë marrëveshjes finale me njohje reciproke Kosovë-Serbi”.