Gjeneral majori italian Frances Lorenzo D’Addario prej sot edhe zyrtarisht është komandant i ri i KFOR-it. Në ceremoninë zyrtare të mbajtur në selinë kryesore të KFOR-it në Prishtinë, mori përsipër detyrën nga ish-komandanti, bashkëkombasi i tij, gjeneral major Salvatore Cuoci, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të komandës morën pjesë, përveç tjerash, komandanti i forcave të bashkuara të NATO-s në Napoli admiral James Foggo, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha. Komandanti në largim Cuoci tha se është krenar që KFOR-i, jo vetëm që është operacioni më i gjatë i NATO-s, por edhe rrëfimi më i suksesshëm për Aleancën dhe partnerët e saj.
“Pa dyshim dhe me siguri të plotë, mund të thuhet se pavarësisht rritjes së tensioneve, gjendja e përgjithshme në Kosovë është shumë më e mirë se sa ishte dhe po përmirësohet vazhdimisht. Përveç kësaj, suksesi i KFOR-it në krijimin e një mjedisi më të sigurtë u shoqërua jo vetëm nga reduktimi gradual i forcave, por në të njëjtën kohë duke transferuar përgjegjësinë për sigurinë e Kosovës”, tha Cuoci.
Pas një viti të qëndrimit në Kosovë, Cuoci tha se është veçanërisht krenar për përparimin e arritur në ndërtimin e një marrëdhënieje midis KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë, e cila siç tha, solli deri te rritja e numrit të patrullave të KFOR-it në sinkronizim të plotë me ushtrinë serbe përgjatë vijës kufitare.
Kryeministri Haradinaj në solemnitet tha se prania e KFOR-it dhe NATO-s ka ndihmuar Kosovën dhe rajonin, si dhe zhvillimin e përgjithshëm për pothuajse dy dekada.
“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah për krah me KFOR-in dhe NATO-n. Qëllimi ynë është t’i bashkohemi NATO-s, ndërsa besojmë se rajoni do të ketë dobi nëse të gjitha vendet nisen rrugës që shpie në NATO”, tha Haradinaj.
Pas ceremonisë së pranim-dorëzimit, u mbajt një konferencë e shkurtër për media e komandantin e ri të KFOR-it D’Addario dhe admiralit amerikan Foggo. D’Addario tha se motoja e re e misionit të KFOR është “Të bashkuar në përkushtim”, dhe kjo do të thotë se KFOR-i është i angazhuar për një mjedis më të sigurtë dhe në veçanti për përparimin e brezave të rinj.
Foggo tha se NATO është e interesuar për një mjedis të sigurtë dhe rrethim të sigurtë për çdo gjë dhe për të bërë përparim ekonomik. Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për gjendjen në veri të Kosovës, tha se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe se ai e kupton zemërimin e tyre, sepse janë prekur personalisht nga tarifat e vendosura për mallrat nga Serbia.
I pyetur nëse ndarja e Kosovës mund të përbëjë rrezik, Foggo tha se udhëheqësit politikë të zgjedhur të të dyja vendeve po zhvillojnë dialog që NATO e mbështet.
“Për vendin tuaj, për Kosovën, është shumë i rëndësishëm dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, ka gjëra mbi të cilat mund të bisedohet dhe mbi të cilat bisedohet. Kjo pyetje më shumë është për përfaqësuesit tuaj të zgjedhur që kanë më shumë njohuri për këtë”, tha Foggo.
Lidhur me procesin e transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, admirali theksoi se ka pasur reagime të ndryshme në Kosovë dhe jashtë Kosovës dhe se beson se transformimi duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, por kjo ende nuk është parë. Ai shtoi se anëtarët e FSK-së dhe ministria kompetente janë duke bërë një punë të madhe, por pyetja mbetet se si do të bëhet trajnimi, pajisja dhe i gjithë procesi, që është shumë i shtrenjtë.
Pas luftës së vitit 1999, KFOR-i ka pasur rreth 50.000 ushtarë në Kosovë ndërsa momentalisht ka rreth 4.000 ushtarë nga 28 vende.



