Kosovë, mbërrijnë edhe 113 shtetas të Afganistanit

Ka mbërritur në Kosovë pas mesnatës edhe grupi i dytë i shtetasve afganë prej 113 personash, përfshirë burra, gra, fëmijë dhe të moshuar, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 224, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se edhe grupi i dytë i shtetasve afganë janë ish-bashkëpunëtorë të NATO-s me familjarët e tyre.

Shtetasit afganë janë proceduar me procedurat e rregullta shtetërore, më pas janë akomoduar në ish-kampin e Bechtel-Enkas në afërsi të qytetit të Ferizajt. Sot po ashtu do të kemi një fluturim të ri i cili do të sjellë 131 shtetas afganë prapë bashkëpunëtorë të NATO-s të cilët sikurse edhe të tjerët do të procedohen me ligjet e Kosovës dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe do të vendosen në strehim në vendin e njëjtë”, tha Sveçla

Ministri Sveçla tërhoqi edhe njëherë vëmendjen se po bëhet fjalë për një strehim të përkohshëm, ndërsa strehimi i përhershëm sipas marrëveshjes i takon Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në procedurat shtetërore, ministri Sveçla bëri të ditur se futet edhe testimi për COVID-19, ndërsa tha se asnjë nga shtetasit e Afganistanit nuk ka rezultuar pozitiv me virus.

Grupi i parë i shtetasve afganë prej 111 personash arritën të dielën në mbrëmje.

Autoritetet kosovare pranuan më 15 gusht kërkesën e SHBA-së për të siguruar strehim të përkohshëm për civilët afganë të cilit kishin punuar me forcat amerikane derisa të përfundojë procedura për largimin e tyre në SHBA.

Në Kosovë gjithsej pritet të vijnë rreth 2 mijë shtetas të Afganistanit.