Kosovë, myftiu Tërnava uron besimtarët për fillimin e muajit të Ramazanit

"Qëllimi i agjërimit nuk është vetëm heqja dorë nga ngrënia e pirja, nuk është për qëllim vetëm uria, por qëllimi i agjërimit është individi, familja e shoqëria, njohja e mësimeve e udhëzimeve hyjnore", tha Tërnava...

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka uruar besimtarët muslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mesazhin e përvitshëm, myftiu Tërnava, tha se Ramazani është muaj i cili përveç tjerash dallohet me ibadetin e agjërimit, ndërsa përmes tij besimtarët muslimanë në mënyrën më të përsosur manifestojnë ndjesinë e besimit në Zotin.

Siç tha Tërnava, dimension shumë i rëndësishëm i Ramazanit është edhe aspekti shoqëror dhe social, ngase “ky muaj përmes ibadetit të agjërimit, te shoqëria rritë ndjesinë e ndjeshmërisë për tjetrin, afron familjet, farefisin dhe besimtarët ndërmjet vete”.

“Qëllimi i agjërimit nuk është vetëm heqja dorë nga ngrënia e pirja, nuk është për qëllim vetëm uria, por qëllimi i agjërimit është individi, familja e shoqëria, njohja e mësimeve e udhëzimeve hyjnore, bërja e njeriut më të përgjegjshëm ndaj jetës në këtë botë, si dhe të ndikojë në formimin e një shoqërie sa më të drejtë, më të përgjegjshme e më të lumtur me nimetet që Krijuesi i ka dhënë në këtë botë”, tha Tërnava.

Kreu i BIK-ut, theksoi se Ramazani është muaj në të cilin filloi të zbres Kurani fisnik, ndërsa vlerat e këtij muaji marrin peshë më të madhe në kohën kur njerëzimi është tunduar nga materialja dhe dinamika e jetës dhe “sikur ka lënë pas dore shpirtëroren e humanen”.

Duke marrë parasysh që edhe këtë vit, ashtu sikurse në Ramazanin e vitit 2020, Kosova, ashtu sikurse e gjithë bota, po përballet me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), Tërnava përgëzoi të gjithë ata që po përballen në front me këtë virus.

“Lusim Zotin që të gjithë ata që kaluan në botën tjetër t’i marrë në mëshirën e Tij, ndërsa të infektuarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë, e të tjerët, Zoti i ruajt nga prekja me këtë virus. Përveç kësaj, është obligim ynë që ta ruajmë veten, familjen e shoqërinë nga infektimi. Ju ftoj që t’u respektoni masat anti-COVID-19, me shpresë tek i Madhi Zot që shumë shpejt edhe ne ta kemi vaksinimin e popullatës dhe kështu ta tejkalojmë edhe këtë sfidë të kohës”, theksoi ai.

Tërnava theksoi se besimtarët muslimanë duhet ta bëjnë më të mirën gjatë këtij muaji me ibadete, lutje, namaz, sadaka e solidaritet, me bindje e përkushtim, që të arrihet kënaqësia e Krijuesit.