Kosovë, ndërpritet masa e paraburgimit për kreun e Komunës së Kllokotit

Të pandehurit Bozhidar Dejanoviq i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Bozhidar Dejanoviq, duke i ndërprerë atij masën e paraburgimit dhe duke i caktuar masë të arrestit shtëpiak me kohëzgjatje prej një muaji, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga kjo gjykatë, arresti shtëpiak do të zgjasë deri më 23 maj të këtij viti.

“Bozhidar Dejanoviq që është kryetar i Komunës së Kllokotit, dyshohet nga ana e Prokurorisë Speciale, se ka kryer veprën penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’ i ndëshkueshëm nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha rrethanat, vlerësoi se edhe me caktimin e masës së arrestit shtëpiak mund të arrihet qëllimi i kërkuar me ligj.

Bozhidar Dejanoviq u arrestua më 12 mars lidhur me dyshimet se ka “cenuar përcakimin e lirë të votuesve”, në Komunën e Kllokotit, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt në territorin e Kosovës.

Më 8 mars, Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP) aprovoi ankesat e partive minoritare boshnjake dhe rome, në lidhje me keqpërdorim të votës së minoriteteve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

PZAP ka njoftuar se partive boshnjake Komuniteti i Bashkuar të Adriana Hoxhiqit, Koalicionit Vakat, Unionit Socialdemokrat dhe Partisë së Re Demokratike iu anuluan në tërësi votat në disa komuna, përfshirë Komunën e Kllokotit.