Kosovë, nis vaksinimi për nxënësit e shkollave të mesme

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë nisur një fushatë për të vaksinuar nxënësit e shkollave të mesme. Ekipe lëvizëse shkojnë çdo ditë në shkollat e mesme të Prishtinës për të vaksinuar nxënësit. Sipas autoriteteve shëndetësore kjo nismë do të shtrihet shumë shpejt edhe në shkolla, në qytete të tjera.

Të gjithë nxënësit duhet të tregojnë një letër konfirmimi nga prindërit e tyre që ata të bëjnë vaksinën. Po ashtu prindërit mund të jenë në ambientet e shkollës kur fëmija i tyre të bëjë vaksinën.

Rreth 42% e popullsisë së Kosovës është vaksinuar. Autoritetet shëndetësore thonë se ka patur një rënie të interest për t’u vaksinuar, nga 20 mijë vaksina në ditë në muajin mars, në më pak se 2 mijë në ditë në fillim të këtij muaji.

Me qëllim për të bindur sa më shumë qytetarë të vaksinohen, autoritetet shëndetësore po bashkëpunojnë edhe me komunitetin mysliman.

Imamët në të gjithë Kosovën u bënë thirrje besimtarëve që të marrin dozat e vaksinës, ndërsa ekipet mjekësore prisnin në oborret e xhamive për t’i vaksinuar.

Sipas të dhënave të universitetit “Johns Hopkins”, Kosova ka një shkallë relativisht të ulët të vdekjeve nga koronavirusi, rreth 3000 vdekje të regjistruara që nga fillimi i pandemisë.