Kosovë, për herë të parë 12 raste rezultojnë pozitiv me variantin Delta Plus të koronavirusit

Në Kosovë për herë të parë, pas analizave të dërguara në Gjermani, 12 persona kanë rezultuar pozitiv me variantin e ri të koronavirusit Delta Plus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Ministria e Shëndetësisë (MSH), Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka pranuar sot rezultatet për 70 mostra të dërguara në Gjermani, nga të cilat 12 kanë dalë pozitiv me Delta Plus.

“Nga 70 mostra, të dërguara ditë më parë për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20,33 për qind) është detektuar varianti Delta Plus (AY.4-like) dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66 për qind)”, njofton MSH.

Sipas ministrisë, ekipet e IKSHPK-së po hulumtojnë dhe gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut për variantin e ri Delta Plus.

Edhe pse varanti Delta është dominues bazuar në rezultatet e fundit, MSH paralajmëron se ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus, duke i bërë thirrje qytetarëve që ende nuk janë vaksinuar që ta bëjnë këtë sa më parë me qëllim të mbrojtjes nga secili variant i koronavirusit.

“Duke pasur parasysh akoma numrin e lartë të personave aktiv që mund të bartin infeksionin dhe të panjohurat për shpërndarjen e shpejtë të COVID-19, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithëve që t’i zbatojnë vendimeve të fundit të qeverisë dhe të bëhet monitorimi i vazhdueshëm i masave me një dinamikë të shtuar të kontrollit nga ana e inspektorateve dhe Policisë së Kosovës për të pasur efekt në uljen e lakores epidemiologjike dhe në uljen e numrit të vdekjeve”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se IKSHPK planifikon që më 15 nëntor të këtij viti të dërgojë mostra të tjera pozitive me COVID-19 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit, përmes të njëjtit projekt, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të virusit në qarkullim në Kosovë.

Situata me COVID-19 në Kosovë, sipas analizës së situatës epidemiologjike, paraqet rënie të numrit të rasteve për 19,11 për qind krahasuar me dy javët e fundit.