Kosovë, rinumërim në 494 vendvotime nga zgjedhjet e 14 shkurtit

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka shpalosur disa arsye në bazë të të cilave ka parashtruar rekomandimet për rinumërimin në disa vendvotime

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pas rekomandimeve që kanë marrë nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) kanë vendosur që 494 vendvotime të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë duhet të rinumërohen, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka shpalosur disa arsye në bazë të të cilave ka parashtruar rekomandimet për rinumërimin në disa vendvotime.

Ndër arsyet që sipas Ahmetajt duhet që këto 494 vendvotime të rinumërohen, janë problemet teknike të ndryshme, të tilla si gabimi në bartjen e votës, pasi janë bartur votat gabimisht në subjektet politike dhe nuk kanë arritur ta kalojnë auditimin; gabimi kur kandidati del se ka më shumë vota se sa subjekti i tij politik, e të ngjashme.

“Pra, janë 494 vendvotime të cilat nevojitet të rinumërohen sipas rekomandimeve të QNR-së, apo në përqindje 20.74 për qind prej totalit të të gjitha vendvotimeve”, tha Ahmetaj.Kosovë, rinumërim në 494 vendvotime nga zgjedhjet e 14 shkurtit

QNR sa i përket të votave me kusht, votave me postë dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara tha se deri më tani numërimi po shkon me rregull dhe janë numëruar mbi 44 për qind e pakove nga 43.500 pako të supozuara si fletëvotime të dërguara në Kosovë nëpërmjet postës.

Ahmetaj theksoi se deri më tani janë hapur 19.168 pako të supozuara si fletëvotime të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit.

“Pas vlerësimit, janë aprovuar 22.326 zarfe me fletëvotime ndërsa janë refuzuar 9.049 zarfe me fletëvotime”, theksoi ai.

Ahmetaj shtoi se arsyet e refuzimit të këtyre fletëvotimeve janë të ndryshme, ku disa prej tyre janë dërguar nga persona që nuk kanë qenë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera janë anuluar për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit si dhe ka pasur edhe pako me votues të paidentifikuar.

Votat me kusht, me postë dhe të personave me aftësi të kufizuara kanë filluar të vlerësohen dhe numërohen tek pas përmbylljes së numërimit të votave të rregullta nga KQZ-ja, dy ditë pas ditës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 14 shkurt të këtij viti, ndërsa nga 1.794.862 qytetarë me të drejtë vote, të drejtën e votës e kanë ushtruar mbi 800 mijë votues apo rreth 47 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.