Kosovë, shënohet Dita e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve

"Përveç dashurisë dhe përkushtimit institucional dhe më tepër familjar, për fëmijët duhet të ketë një përkushtim i cili është strategjik", deklaroi kryeparlamentari Veseli

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës sot u shënua Dita e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në praninë e fëmijëve dhe pjesëmarrjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ministrave të kabinetit qeveritar, kryesueses së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kryetares së Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione Duda Balje si dhe përfaqësuesve të UNICEF-it dhe të organizatave të ndryshme për fëmijë, sot në Kuvendin e Kosovës u shënua Dita e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Në një fjalë rasti kryeparlamentari Veseli tha se Kosova duhet të ketë perspektivë për këtë gjeneratë. Sipas tij, përveç dashurisë dhe përkushtimit institucional dhe më tepër familjar, për fëmijët duhet të ketë një përkushtim i cili është strategjik, që kjo rini të jetë e përgatitur për sfidat e së ardhmes.

“Për vetë faktin se këta do të ballafaqohen me ngecjet të cilat janë në shoqërinë kosovare në përgjithësi duhet t’i kemi më të përgatitur që të jenë më konkurrentë, më të suksseshëm dhe në të njëjtën kohë të mos ballafaqohen me problemet të cilat jemi aktualisht ne duke u ballafaquar. Ka mundësi Kosova të ketë sukses por edukimi është baza kryesore, trajtimi i fëmijëve është baza kryesore e transformimit kualitativ të vetë shoqërisë sonë”, tha Veseli.

Kryesuesja e BE-së në Kosovë Apostolova deklaroi se rinia është potenciali kryesor dhe më i madh i Kosovës. Duke rikujtuar se Kosova ka popullsinë më të madhe nën 18 vjeç në kontinentin e Evropës, Apostolova tha se “Ky është potenciali që ka Kosova. Por, nëse nuk mbrohet, promovohet dhe edukohet ashtu siç duhet, kjo pasuri që ka Kosova kthehet në një problem”.

Ajo më tej theksoi se të dhënat e Agjencisë Kosovare të Statistikave për fëmijët të përfshirë në punë, dhunë fizike e psikologjike janë alarmante.

Mexhide Mjaku, kryetare e Grupit të grave deputete (GGD) theksoi rëndësinë e asaj që fëmijët të jenë të mbrojtur dhe të jetojnë në një shtet i cili vëmendjen e ka drejtuar tek fëmijët. “Eshtë bindja dhe poashtu është edhe detyra jonë të sigurojmë një mjedis të lirë, pa dhunë për fëmijët dhe se sigurisht është njëra prej përparësive e çdo shoqërie që kërkon zhvillim dhe mirëqenie”, tha ajo.

Gjatë këtij programi poashtu edhe fëmijët shprehën shqetësimet e tyre si dhe me sfidat me të cilat po ballafaqohen.

Kujtojmë se më 20 nëntor, me aktivitete të ndryshme në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve”, e cila rrjedh nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989.