Kosovë, shkon në mbi 40 mijë numri i të shëruarve nga COVID-19

Numri i viktimave është rritur në 1.325 ndërsa numri i rasteve në 50.910

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 8 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur duke e çuar në 1.325 numrin e viktimave nga ky virus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK) edhe 109 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në 50.910.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 744 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar gjithsej 181.148 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 454 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 40.423 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9.162.