Kosovë, shqiptari kujdeset për serben e moshuar, banoren e vetme në fshatin e braktisur

Përveç Bllagicës së moshuar dhe maceve të saj, në atë fshat nuk ka më njerëz dhe bagëti. Pothuajse vizitori i vetëm por i rregullt është shqiptari Fadil Rama nga fshati fqinj, Strezoc

Në fshatin Vaganesh në lindje të Kosovës, që ndodhet në një rajon kodrinor, koha duket se është ndalur që moti. Shtëpitë janë shkatërruar ndërsa oborret dhe rrugicat janë mbingarkuar me bar të gjatë. Përveç Bllagicës së moshuar dhe maceve të saj, në atë fshat nuk ka më njerëz dhe bagëti. Pothuajse vizitori i vetëm por i rregullt është shqiptari Fadil Rama nga fshati fqinj, Strezoc.

As pandemia e koronavirusit nuk e ndalon atë të vazhdojë ta vizitojë 92-vjeçaren serbe, Bllagica Diçiq, e cila jeton plotësisht e vetme në fshat për më shumë se një vit.

Së bashku me Fadilin, ekipi i Anadolu Agency (AA) vizitoi Bllagicën, e cila po përgatitej të lante duart. Fadili i afroi menjëherë një enë me ujë dhe një legen. Ai i dha peshqirin për të fshirë duart dhe më pas edhe dy qese plot me ushqim.

“Ti, bir, vetëm më sjell, më mbush frigoriferin”, thotë Bllagica. “Nuk ka problem, le të ketë, është më mirë të kesh sesa të mos kesh”, përgjigjet Fadili.

Lokja Bllagica e shikonte Fadilin dhe e bekonte atë.

“Vetëm ky vëlla vjen tek unë. Edhe gruaja dhe djali i tij. Zonja e tij dhe ai më kanë vizituar, sikur të ishin nëna dhe babai im. Ai kujdeset për mua, Zoti e ruajtë, Zoti e begatoftë”, shprehet Bllagica.

Bllagica ka fëmijë, dy djem dhe tri vajza, katër prej të cilëve jetojnë në Serbi. Djali i saj Sllobodani (Dan), me të cilin jetoi deri pak më shumë se një vit më parë, për shkak të sëmundjes së gruas së tij u detyrua të transferohej në qytetin e afërt të Kamenicës, ku komuna i ka siguruar akomodim.

“Unë nuk munda të zbres, nuk mësohem. Nuk jam për të jetuar në apartament”, thotë ajo.

“Nuk kam frikë. Është pak e vështirë që jam vetëm, por jam mësuar”, thotë Bllagica.

Ajo thotë se Fadili është si vëlla për të dhe se ai e ndihmon atë.

“Unë kurrë nuk do ta harroj mirësinë e tij që kujdeset për mua, por edhe Danin. Kjo është e paimagjinueshme”, shprehet ajo.

Fadil Rama thekson se ai e dinte që Bllagica ishte vetëm dhe se askush nuk mund ta ndihmojë, veçanërisht në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit. Ai thotë se vjen çdo dy ose tri ditë për t’i sjellë ushqim.

Sipas Fadilit, djali i Bllagicës Sllobodani është në një gjendje të keqe sociale dhe gjatë masave të zbatuara për shkak të COVID-19, ai nuk ka mundur të vinte për të vizituar nënën e tij.

“Djali i saj vinte çdo dhjetë ditë para koronavirusit, por unë edhe atëherë vija në ndërkohë dhe që nga shpërthimi i koronavirusit, vij vetëm unë”, thotë Fadili, duke shtuar se gjatë muajit të Ramazanit, ai ka ardhur çdo ditë për ta vizituar atë.

“Meqenëse nuk agjëroja, doja të bëja sevap. Ka rreth dy kilometra deri këtu dhe nuk është problem që unë të vij në këmbë për t’i sjellë ushqimin. Unë nuk mund të ha nëse e di se një person është i uritur, pavarësisht fesë dhe racës”, thotë Fadili.

Përveç sjelljes së ushqimit, Fadili gjithmonë mbush disa shishe me ujë në një burim afër dhe i sjell drunj dhe ia përgatit ato në mënyrë që të mund të ndezë zjarrin më lehtë.

Pasi që disa media raportuan për situatën e vështirë të Bllagicës, janë shfaqur edhe disa njerëz humanë që kanë shprehur dëshirë për ta ndihmuar.

“Unë nuk e njoh atë, por një burrë nga Amerika, mbiemri i tij është Nikoliq, ka dërguar 200 dollarë dhe me këto para unë i bleva asaj një frigorifer, sepse e dija që ajo kishte nevojë për të, sepse çorba që i sillja prishej shpejt”, thotë Fadili.

Komuna e Kamenicës është e njohur për marrëdhënie të mira ndëretnike midis shqiptarëve dhe serbëve ndërsa Fadili e konfirmon një gjë të tillë.

“Ata silleshin mirë gjatë luftës dhe më parë. Ne gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të mira, nuk ka pasur asnjëherë probleme”, përfundon Fadili.

Shembulli i Fadilit sjell shpresë se ka akoma njerëz të mirë dhe humanë për të cilët kombësia ose feja nuk janë pengesë për të ndihmuar njerëzit e tjerë.