Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur sot shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e Komunës së Podujevës për shkak të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e presidentit njoftoi se vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarin e Podujevës, të planifikuara për 15 mars, u mor pasi ai ka pranuar rekomandim nga presidentja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
“Data e zgjedhjeve do të përcaktohet më vonë, pas vlerësimit të gjendjes epidemiologjike dhe pas pranimit të vlerësimit se do të jetë e sigurt që të mbahen zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Podujevës”, thuhet në kumtesën e presidencës së Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës u caktuan pasi kryetari i mëparshëm i kësaj komune, Agim Veliu, u zgjodh ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës.![]()



