Kroaci, nga e marta certifikata për COVID-19 e detyrueshme në institucionet publike

Shtabi i Mbrojtjes Civile në Kroaci në një konferencë për media bëri të ditur detajet e paralajmërimit të certifikatave për COVID-19 për të gjithë punonjësit si dhe për të gjithë ata që të martën hyjnë në institucionet shtetërore dhe publike në Kroaci, raporton Anadolu Agency (AA).

“Me të mbërritur në punë, të gjithë nëpunësit civilë dhe publikë, punonjësit e kompanive dhe institucioneve të themeluara nga Republika e Kroacisë, qarqeve, qyteteve dhe komunave duhet të paraqesin certifikatat për COVID-19 nga e marta, 16 nëntor”, u njoftuan sot në konferencën e Shtabit të Mbrojtjes Civile në Kroaci.

“Personat që nuk janë vaksinuar do të duhet të testohen dy herë në javë. Testimi do të organizohet nga punëdhënësi ndërsa në Kroaci do të hapen 6.407 qendra testimi”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviç.

“Me këtë zbatohet masa e sigurisë së testimit të detyrueshëm vetëm për arsye epidemiologjike për të mos rrezikuar funksionimin e organeve shtetërore dhe administratës publike, kurse certifikata dixhitale e BE-së për COVID-19 është dëshmi se një person është testuar, se është negativ për virusin, se ka kaluar COVID-19 ose se është vaksinuar”, tha Bozhinoviç.

Të njëjtat certifikata COVID-19 do të duhet të posedojnë edhe nga shfrytëzuesit e këtyre institucioneve, palët dhe vlefshmëria e tyre do të kontrollohet nga një person i autorizuar nga punëdhënësi në hyrje të ambienteve të këtyre institucioneve.

Personat që refuzojnë të paraqesin certifikatën e COVID-19 ose refuzojnë të testohen nuk do të kenë të drejtë të hyjnë apo të qëndrojnë në ambientet e administratës shtetërore dhe publike.

Masa e njëjtë është vendosur më 4 tetor për institucionet shëndetësore dhe sociale dhe tashmë është shtrirë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike: shkolla, kolegje, posta, administrata tatimore, bashki etj.