Kroacia do t’i dhurojë Kosovës 10 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19

Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë bëri të ditur se Kroacia ka ndarë 10 mijë doza të vaksinave anti-COVID-19 për Kosovën

Prishtinë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz ka pritur në takim zyrtar për herë të parë ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç Radman, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Gërvalla – Schwarz, pas një takimi që ka zgjatur rreth një orë në selinë e ministrisë në Prishtinë, ka thënë se me homologun e saj kroat kanë folur për rrugën e integrimeve euroatlantike dhe “nevojën e Kosovës për bashkëpunim për të përfituar nga përvojat e Kroacisë”.

Gjithashtu Gërvalla-Schwarz tha se në takim biseduan edhe për shtimin e bashkëpunimit në ekonomi, kulturë dhe shkencë.

Po kështu, sipas ministres, liberalizimi i vizave për kosovarët nga Bashkimi Evropian (BE), ka qenë një nga temat e diskutimit, ku ministrja kosovare tha se “Kroacia është mbështetëse e fortë e Kosovës për liberalizimin e vizave”.

“Shprehëm gjithashtu përkushtimin e përbashkët që të shtyjmë përpara marrëveshjet bilaterale të cilat janë ende në proces e sipër dhe që lidhen me bashkëpunimin doganor, me njohjen e patentë shoferëve, transferimin e personave të dënuar, promovimin reciprok dhe mbrojtjen e investimeve”, theksoi Gërvalla-Schwarz.

Ministri i Jashtëm kroat Radman duke folur për aktualitetin e përballjes me pandeminë e COVID-19, tha se Kroacia ka ndarë për Kosovën 10 mijë doza të vaksinave anti-COVID-19.

“Me kënaqësi të veçantë e informova ministren Gërvalla-Schwarz për vendimin e Qeverisë së Kroacisë për ndarjen e 10.000 dozave të vaksinave për Republikën e Kosovës. Shpresojmë që ky donacion të jetë i dobishëm për vendin tuaj në parandalimin dhe mbrojtjen e jetëve njerëzore nga pandemia e COVID-19, e cila fatkeqësisht ka lënë pasoja të mëdha në shëndetin e qytetarëve të Kosovës, por edhe në situatën e përgjithshme ekonomike”, theksoi Radman.

Ministri kroat tha se mirëpresin vendimin e Kosovës dhe Serbisë për të vazhduar negociatat gjatë qershorit të këtij viti. Po kështu theksoi se Kroacia është kundër “çdo ndryshimi të kufijve në lindje të Evropës”.

“Kroacia mbështet dialogun dypalësh midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Lajçakut dhe mbështetjen e administratës amerikane, dhe ne u bëjmë thirrje të dy palëve që të bëjnë çdo përpjekje për të arritur në fund një zgjidhje të pranueshme. Në të njëjtën kohë, Kroacia kundërshton dhe dënon çdo përpjekje që do të çonte në ndonjë ndryshim të kufijve në Evropën Juglindore”, tha ministri kroat.

Ministri Grliç Radman gjatë ditës pritet të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.