Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e saj turk, Mevlüt Çavuşoğlu, ku ka falënderuar për ndihmat e Turqisë të dërguara në vendin e saj për të trajtuar krizën me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se në bisedën telefonike midis Haradinaj-Stublla dhe Çavuşoğlu është diskutuar rreth situatës së krijuar nga koronavirusi.
“Në këtë bisedë shpreha falënderimin për ndihmat mjekësore dhe pajisjet mbrojtëse që dërgoi Turqia për të ndihmuar Kosovën në përballjen me pandeminë, si dhe për mbështetjen në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës”, ka theksuar ministrja Haradinaj-Stublla.
Sipas njoftimit nga ministria, kryediplomatët e dy vendeve kanë folur edhe për harmonizimin e axhendës dhe prioriteteve të Kosovës, “sidomos tani që Turqia do të jetë kryesuese e radhës pas Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore”.
Ministrja Haradinaj-Stublla ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me homologun e saj shqiptar, Gent Cakaj, ku ka theksuar se marrëdhëniet midis dy vendeve “nuk lëvizin nga themelet e forta që na mbajnë bashkë në çdo kohë”.


