Kryeministri kroat Plenkoviç në Petrinjë: Nuk është e sigurtë të jesh këtu

"Kemi informata se një vajzë ka humbur jetën, na njoftoi kryetari i bashkisë. Tani për tani, ne nuk kemi asnjë informacion tjetër për viktima eventuale", tha kryeministri Plenkoviç

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç arriti në Petrinjë menjëherë pas tërmetit të fuqishmë prej 6.3 ballësh sipas Rihterit, i cili goditi Kroacinë rreth orës 12.20 sipas kohës lokale, për të parë në vendngjarje shkallën e dëmtimit që shkaktoi tërmeti, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai konfirmoi se Darinko Dumboviç, kryetari i Komunës së Petrinjës e kishte informuar atë se një vajzë ka vdekur nga tërmeti.

“Kemi informata se një vajzë ka humbur jetën, na njoftoi kryetari i bashkisë. Tani për tani, ne nuk kemi asnjë informacion tjetër për viktima eventuale, por nuk mendoj se këtë dikush mund të thotë me siguri në këtë moment”, tha Plenkoviç për mediat kroate.

Ai theksoi se të gjitha shërbimet e shpëtimit erdhën në Petrinjë për të ndihmuar në pastrimin e rrënojave dhe kërkimin e njerëzve nën rrënoja.

“Të gjithë janë atje. Për fat të mirë, ka një kazermë në Petrinja, ushtria është këtu. Shërbimet e urgjencës, policia, mbrojtja civile, zjarrfikësit po vijnë nga Zagrebi, HGSS do të vijë nga Spliti, helikopterët ushtarakë shkuan t’i marrin, kështu që ne do të ndërmarrim gjithçka. Ne do të duhet të gjejmë strehim alternativ. Kontejnerët do të vijnë, do të duhet të heqim disa njerëz nga Petrinja, sepse nuk është e sigurtë të jesh këtu. Kjo tani është e qartë sikur dita”, tha kryeministri kroat.

Plenkoviç sqaroi se menjëherë pasi mësoi se çfarë kishte ndodhur, shkoi në Petrinjë, por gjithashtu tha se Qeveria dërgoi të gjitha shërbimet e urgjencës në këtë qytet kroat.

“Na vjen keq. Kjo është një tragjedi”, përfundoi Plenkoviç.

Pas një tërmetit me fuqi prej 6.3 ballë sipas Rihterit, 46 kilometra në juglindje të Zagrebit, sizmologët pas më shumë se një ore regjistruan 4 tërmete të dobëta prej 3 dhe 4.5 ballë.