Kryeministri mes epidemisë dhe ekonomisë

Sot, pas katër javësh karanatinë, ne ndodhemi më shumë në një distancim fizik se sa distancim social. Ky i fundit, në mungesë të fizikes, po kompensohet më lidhjet sociale dixhitale.

Si asnjë herë tjetër, vëmendja e të gjithëve drejtohet në mënyrë të natyrshme, e orkestruar deri në perfeksion, pikërisht në orën 11.00, atëhere kur përfaqësues të Task Forcës për Covid 19, dalin në konferencë për shtyp duke bërë bilancin e 24 orëve të fundit në Shqipëri. Është një takim me kohën që secili prej nesh e bën me shpresën se sadopak do të mund të projektojë të ardhmen e afërt të tij. Një dritare e cila i ngjan një të burgosuri brënda një qelie që shikon me shpresë lirinë e tij. Shpresa dhe fakti përditë bëjnë një betejë të ashpër mes tyre, për të përcaktuar territore në psikën e secilit prej nesh. Betejë, e cila këto javë të karantinës, fitohet gjithmonë e më tepër nga fakti i shifrave në rritje të të infektuarve, se sa nga shpresa për një reduktim të tyre. Sasia dhe numri i të sëmurëve, përcakton edhe rrugën tonë drejt lirisë. Pas katër javësh të një populli në karantinë, fakti i shifrave vazhdon të fitojë mbi shpresën. Numri i të infektuarve ndodhet në kuotën më të lartë ditore, duke e bërë shpresën e lirisë të ndodhet atje tej, diku larg në një horizont gri të palexueshëm.

Gjatë këtyre muajve të fundit të pandemisë botërore të koronavirusit, në botë u shfaqën kryesisht dy metodologji të qasjes ndaj kësaj epidemie. E para, ishte metoda kineze e trajtimit të koronavirusit, e cila u investua për të fituar kohë duke aplikuar masa ekstreme të kufizimit të cilat shtriheshin deri në cënimin e rëndë të lirive dhe të drejtave të njerëzve. Është e kuptueshme përse Kina e bëri këtë. Ajo nuk ka problemin e një vendi të vogël dhe të varfër, i cili nuk do të donte që epidemia të përplasej me sistemin shëndetësor duke e shkatërruar krejt atë. Jo, Kina më shumë se problem me sistemin shëndetësor, kishte problem me sistemin ekonomik, pasi ajo mund të konsiderohet “uzina e botës” dhe një bllokim i gjatë për shkak të epidemisë, do të përbënte edhe fundit e saj si perandori ekonomike. Prandaj, masat e ashpra ishin e vetmja mënyrë për qeverinë kineze për të fituar betejën me kohën dhe për t’iu rikthyer edhe një herë ritmit të saj ekonomik. Këtë mund ta bënte vetëm një vend komunist si Kina në gjendje shtatzanie me kapitalizmin.

Metoda e dytë e aplikuar, kryesisht në vendet perëndimore, ishte shtrëngimi i ngadalshëm i masave duke i shtrirë ata në një kohëzgjatje të konsiderueshme. Ndërkohë që Kina i kthehej normalitetit, vende si SHBA, Britania, Gjermania, Turqia, Suedia, Danimarka, preferuan që edhe pse numrit në rritje të të infektuarve si dhe viktimave, të mos kalonin në masa spartane të kufizimit të jetës publike, por akoma edhe sot tentojnë të gjejnë një mesatare, një soj kalibrimi mes distancimit fizik dhe jetës social- ekonomike të vendeve të tyre.

Shqipëria dhe qeveria shqiptare, ishin të parat që në fillimet Marsit, ende pa filluar akoma epidemia të shfaqej me gjithë fuqinë e saj tek ne, që ndërmorën masa të menjëhershme dhe të shpejta të kufizimit më të ashpër të jetës social-ekonomike të vendit. A ishte ky vendimi i duhur? Pothuaj të gjithë ramë dakort se sistemi ynë shëndetësor, nuk mund të përballonte një cunami të sëmurësh që do vinin si pasojë e shpërfilljes apo mos kufizimeve në fjalë. Qasja kineze për qeverinë Rama, dukej se ishte e vetmja formë për ta mbajtur problemin, jo vetëm larg shqiptarëve, por edhe larg qeverisë në të njëjtën kohë. Një kolaps i mundshëm i shëndetësisë, donte të thoshte edhe një kolaps i sigurtë politik. Kombinimi i kolapsit të fataliteteve dhe kolapsit politik që vjen më pas, mund t’i japë kuptim narrativës nekrologjike dhe literalisht të rënduar të kreut të qeverisë shqiptare. Në ndihmë të gjithë kësaj erdhën ngjarjet e Italisë, e cila duke qenë afër nesh, si dhe duke pasur një popullsi të madhe shqiptare atje, e bënte rrezikun e përhapjes së sëmundjes në Shqipëri akoma më të madh.  Pamjet e spitaleve italiane, arkivolat si dhe njerëzit e ngujuar në ballkone, krijuan atë aureolën perfekte për shqiptarët që të përqafonin me bindje masat e egra kufizuese.

Sot, pas katër javësh karanatinë, ne ndodhemi më shumë në një distancim fizik se sa distancim social. Ky i fundit, në mungesë të fizikes, po kompensohet më lidhjet sociale dixhitale. Një dimension i ri i marrëdhënieve në 4G shpërtheu furishëm kudo. U ndjemë më afër se kurrë me njëri-tjetrin në kohën që ndodhemi më larg se asnjëherë tjetër. Në këtë perandori botërore dixhitale, vëmendja është më shumë se kurrë e kanalizuar në vetëm pak çështje dhe ku liderët politikë gëzojnë ekskluzivitetin më të madh se asnjë herë tjetër. Në mesin e mbretërisë shqiptare të lidhjeve dixhitale, ora 11.00 si dhe daljet e Kryeministrit, janë kthyer tashmë si shpresa e vetme për të mundur faktet dhe për të shkuar drejt lirisë. E ku ka më mirë se kaq! Çdo lider do të donte që mbretëria e tij dixhitale të ngjyrosej gjithmonë kështu, ku vëmendja e secilit të jetë e hipnotizuar vetëm nga një çështje, vetëm nga një përgjigje dhe vetëm nga një person.

Pas katër javësh izolim, metodologjia e shtrëngimit kinez të masave, po vihet në diskutim. Masat e forta dhe koha e shkurtër, apo masat më të lehta dhe kohë më e gjatë? Tek ne masat e forta nuk po çojnë në uljen e masës së infektimit, ajo po qëndron brënda një gjëndjeje të rritjes së qëndrueshme. Ndërkohë që ekonomia jonë humb 25-30 milion euro cdo ditë. Pothuaj një miliardë euro janë humbur deri më tani. Korporatave për cdo muaj izolim u duhen 12-18 muaj rikuperim. Pyetja që shtrohet është se sa efikase do të shfaqen kufizimet e egra në javët ne vijim? Cili do të jetë dëmi më i madh që mund t’i bëhet Shqipërisë, ai në terma infektimi, apo në terma të depresionit ekonomik i cili mund të jetë shumë më me pasoja se ai i epidemisë?

Kombinimi i masave të arsyeshme, distancimi fizik, ndërgjegjësimi si dhe një ekonomi që gjallon brënda kujdesit të përgjithshëm ndaj epidemisë, do të ishte mënyra më e mirë për të rikthyer shpresën tek njerëzit. Populli e dha provën e vet, qëndroi i mbyllur duke bërë të pamendueshmen, tani i takon Kryeministrit dhe qeverisë të lënë nekrologjinë, armikun dhe bombat dhe të kthehen në dritarën e shpresës për shqiptarët.